Vendosni fjalën kyçe....

Rregullorja e re, nga 1 janari 2027 ulen komisionet e tregtarëve për të pranuar pagesa me kartë



Banka e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht rregulloren e re “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”.

Rregullorja e re është përshtatje e direktivës me të njëjtin emër të Bashkimit Europian, të vitit 2015 dhe ka si qëllim kryesor uljen e komisioneve që bankat u ngarkojnë tregtarëve për pranimin e pagesave me kartë.

Duke filluar nga data 1 janar 2027, ofruesit e shërbimeve të pagesave nuk mund të aplikojnë tarifë shkëmbimi më të lartë se 0.2% të vlerës së transaksionit, kur ai kryhet me kartë debiti dhe 0.3% të vlerës së transaksionit, kur ai kryhet me kartë krediti.

Në kuptimin e rregullores, tarifë shkëmbimi (interchange fee) është një tarifë e paguar për çdo transaksion direkt ose indirekt ndërmjet emetuesit dhe pranuesit të përfshirë në një transaksion pagese të bazuar në kartë. Kompensimi neto ose çdo remunerim tjetër i rënë dakord do të konsiderohet pjesë e tarifës së shkëmbimit.

Në terma më të thjeshta, tarifa e shkëmbimit është tarifa që paguhet nga banka e tregtarit që pranon pagesën te banka që ka emetuar kartën e blerësit, sa herë që konsumatori kryen pagesë duke përdorur një kartë.

Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë.

Sipas burimeve nga sektori bankar, aktualisht niveli i tarifave të shkëmbimit mund të vlerësohet mesatarisht pranë kufirit të 1.5%, por i referuar si një nivel indikativ, sepse shkalla e komisioneve është e ndryshme, në varësi të llojit të aktivitetit të biznesit.

Megjithatë, tarifat e shkëmbimit nuk janë i vetmi element i komisioneve totale që paguan një tregtar për çdo shitje me kartë. Kjo strukturë përmban edhe dy elementë të tjerë.

Tarifat e skemës ose të rrjetit (scheme fees) janë tarifa që i marrin direkt kompanitë globale të skemave të pagesave me kartë, si Visa apo Mastercard.

Të dyja bankat (ajo lëshuese dhe ajo pranuese) i paguajnë këto tarifa për faktin se përdorin rrjetin global të skemave për të autorizuar dhe procesuar transaksionin. Ato janë tarifa të vogla për transaksion, por që grumbullohen në vëllime të mëdha.

Gjithashtu, komisionit i shtohet edhe tarifa që quhet marzhi i bankës së tregtarit (acquirer markup).

Kjo është pjesa që mban banka e tregtarit (ajo që ka vendosur pajisjen POS ose portën e pagesave online). Kjo tarifë mbulon koston e pajisjes, procesimin teknik dhe rrezikun që merr përsipër banka duke bashkëpunuar me tregtarin.

Duke mbledhur të gjitha zërat e komisioneve bashkë, sot komisioni që një tregtar i paguan bankës për pagesat me kartë mund të arrijë deri në më shumë se 3%, në rastin e pagesave me karta të lëshuara jashtë vendit. Për pagesat me karta të lëshuara nga institucionet vendase, komisionet janë më të ulëta.

Vendosja e tavanit për njërin nga zërat e komisioneve (tarifat e shkëmbimit) pritet ta ulë ndjeshëm komisionin total.

Sipas Bankës së Shqipërisë niveli i komisioneve mund të ulet deri në 1%, megjithatë përfaqësues të sektorit bankar nuk besojnë se ulja mund të jetë në këto nivele, por shohin si një prag më realist kufirin e 1.5%.

Për transparencë lidhur me ndarjen e llojeve të tarifave që i ngarkohen përfituesit të pagesës (tregtarit), rregullorja kërkon që, pas ekzekutimit të një transaksioni individual pagese të bazuar në kartë, ofruesi i shërbimit të pagesave të përfituesit duhet t’i përfituesit referencën që i mundëson përfituesit të identifikojë transaksionin e pagesës me kartë; shumën e transaksionit të pagesës në monedhën në të cilën është kredituar llogaria e pagesës së përfituesit; shumën e çdo tarife për transaksionin e pagesës me kartë, duke treguar veçmas tarifën e shërbimit të tregtarit dhe shumën e tarifës së shkëmbimit.

Megjithatë, ky nen i rregullores do të hyjë në fuqi vetëm në 1 janar 2028, për shkak të kohës së nevojshme të kërkuar bankat dhe nga skemat e pagesave me kartë për detajimin e të dhënave./Monitor