Dolores Aveiro, nëna e Cristiano Ronaldos, ka shkaktuar një valë reagimesh në Portugali pas deklaratave të forta lidhur me humbjen 4-1 të kombëtares portugeze ndaj Danimarkës.
Sipas raportimeve të mediave portugeze, të cilave u referohet edhe faqja franceze “Foot Mercato”, Dolores ka habitur opinionin publik duke deklaruar se ishte e lumtur për disfatën e Portugalisë. Pakënaqësia e saj lidhej me mënyrën se si u trajtua djali i saj dhe me ceremoninë speciale të organizuar në nder të tij.
Në minutën e shtatë të takimit ndaj Danimarkës, organizatorët zhvilluan një homazh për Ronaldon, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të yllit portugez gjatë viteve me përfaqësuesen. Megjithatë, sulmuesi i Al-Nassr nuk ishte i pranishëm në këtë ndeshje.
Ky veprim nuk u prit mirë nga nëna e tij, e cila e konsideroi të papërshtatshëm organizimin e një ceremonie të tillë në mungesë të futbollistit.
“Jam e lumtur që Portugalia humbi. Djali im u tradhtua dhe u mashtrua. Shokët e skuadrës nuk e respektojnë dhe nuk i kanë treguar vlerësimin që meriton. Edhe ky homazh, i organizuar në mungesë të tij, ishte i papërshtatshëm”, citohet të ketë thënë Dolores Aveiro.
