Sulmet me dronë janë bërë shkaktari kryesor i vdekjeve të civilëve në luftën që po zhvillohet në Sudan. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, afro tri të katërtat e viktimave civile të konfirmuara këtë vit janë vrarë nga sulmet ajrore me mjete pa pilot, raporton Reuters.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 2.230 viktima civile nga janari deri më tani gjatë vitit 2026. Prej tyre, më shumë se 1.630 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve me dronë.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka dënuar shkeljet e rënda të ligjeve të luftës nga palët ndërluftuese, duke paralajmëruar se disa prej veprimeve mund të përbëjnë krime lufte.

Sipas raportit, përdorimi gjithnjë e më i madh i dronëve po ndryshon natyrën e konfliktit, pasi sulmet mund të kryhen në distanca të mëdha, larg vijave të frontit.

Shqetësim i veçantë mbetet edhe goditja e infrastrukturës civile, përfshirë objektet e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, duke përkeqësuar kushtet e jetesës për popullsinë.

Lufta në Sudan, e cila nisi në prill të vitit 2023 mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe zhvendosjen e miliona njerëzve.

OKB-ja u bën thirrje palëve që të ndalin sulmet ndaj civilëve dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar