Rreth 500 kg kokainë të fshehura në pleh kimik në Frakull, ekstradohet nga Spanja 49-vjeçari (EMRI)
Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”. Një 49-vjeçar i kërkuar nga autoritetet shqiptare është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, pasi akuzohet si një prej financuesve dhe negociatorëve të trafikimit të 485 kilogramëve kokainë, të sekuestruara në vitin 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ekstradimi i shtetasit Kevin Margjoni alias Arjan Margjoni u realizua falë bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Madridit.
49-vjeçari akuzohet se, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka financuar dhe negociuar trafikimin e sasisë së konsiderueshme të kokainës, e cila u zbulua nga Policia në vitin 2022, e fshehur në thasë me pleh kimik në Frakull të Fierit.
Në mars të vitit 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Ekstradimi i tij është realizuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që vijon me synimin e kapjes dhe sjelljes përpara drejtësisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
/vizionplus.tv




