Pas humbjes së thellë të Portugalisë me Danimarkën, Dolores Aveiro akuzon publikisht federatën portugeze dhe lojtarët. Nëna e Cristiano Ronaldo-s, i doli publikisht në mbrojtje djalit, duke ndezur polemikat, sepse janë akuza që përfshijnë gjithë kombëtaren.
Gjatë një ceremonie në stadiumin “José Alvalade” të Lisbonës, u shpreh e kënaqur me humbjen ndaj Danimarkës.
Cristiano është i trishtuar, donte të ishte ndryshe. Por e tradhtuan.
Për humbjen 4-1 të Portugalisë, shtoi:
Mirë t’i bëhet, jam e kënaqur që Portugalia humbi.
Gishtin e drejtoi edhe ndaj ish-shokëve të skuadrës. Pyetjes nëse e kanë respektuar Cristiano-n, iu përgjigj:
Asnjëri prej tyre.
Dolores theksoi se djali i saj nuk u respektua nga asnjë prej komponentëve të kombëtares. Po ashtu, kritikoi festën e organizuar nga federata në Braga, pas tërheqjes së Ronaldo-s:
Një festë e tillë duhej organizuar në praninë e djalit tim, jo në mungesë të tij. Vlerësimin e vërtetë do ta marrë këtu, te Sporting, ku ia dinë vlerën, ndryshe nga sa bëri federata.
E pyetur për raportin e Cristiano-s me trajnerin Jorge Jesus, Dolores iu përgjigj gazetarit me një batutë:
Eshtë i njëjtë me raportin që ka me ju.
Më pas erdhi reagimi i trajnerit Jesus:
Duhet vërtet të replikoj me nënën e Cristiano-s? Kam shumë respekt për zonjën, çfarë mund të them? Një nënë mbetet një nënë, është instikt natyral dhe e kuptoj plotësisht deklaratën e saj.
Një reagim ka pasur edhe nga Reben Neves, lojtar i Portugalisë:
E dimë çfarë përfaqëson Cristiano për ne dhe i jemi mirënjohës. Nuk kemi të bëjmë fare me vendimin e tij. Do të jetë gjithmonë një legjendë e Portugalisë, por tani duhet të përqendrohemi te puna jonë.