Tuesday / November 17 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

BSH: Ekonomia po rritet mbi potencial dhe po gjeneron presione inflacioniste

Share Share Icon

Ekonomia shqiptare vijon të operojë mbi potencialin e saj, duke gjeneruar rrjedhimisht presione për rritjen e inflacionit.

Në raportin e politikës monetare për tremujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se megjithatë, hendeku pozitiv i prodhimit po vjen drejt ngushtimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ngelet sidoqoftë mbi mesataren historike, ndërsa kushtet në tregun e punës janë ende të shtrënguara.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këta tregues sinjalizojnë praninë e një disbalance midis kërkesës dhe ofertës, si në tregun e mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe në tregun e punës, disbalancë e cila ushtron presion për rritje të inflacionit. Deri më tani, ndikimi i këtyre presioneve është amortizuar pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe ngushtimi i marzheve të fitimit të bizneseve.

Ndonëse këta tregues mbeten disi mbi mesataret e tyre historike, nivelet e tyre aktuale sugjerojnë se presionet e brendshme inflacioniste janë përgjithësisht në linjë me objektivin e inflacionit. Paralelisht me to, ngadalësimi i inflacionit të qirave ka kontribuar në zbutjen e inflacionit bazë dhe të brendshëm.

Në muajin shtator, inflacioni vjetor bazë u ul në 2.37%, nga 2.78% që kishte qenë një muaj më parë. Inflacioni bazë për të dytin muaj ishte në rënie edhe me bazë vjetore, duke zbritur poshtë nivelit prej 3.07% ku kishte qenë një vit më parë.

Për herë të parë pas shumë vitesh, inflacioni bazë është stacionuar prej tre muajsh poshtë nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për shtatorin shënoi nivelin 2.9%. Rënia e inflacionit bazë në muajt e fundit ka qenë e lidhur sidomos me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e inflacionit bazë në vitet e fundit.

Në muajin shtator, inflacioni për këtë nëngrup ra në 3.3%, nga 6.6% që kishte qenë një vit më parë. Rënia duket të jetë e lidhur me mbylljen e ciklit 12-mujor, duke qenë se prej sezonit veror 2025 inflacioni i këtij grupi kishte shënuar një përshpejtim të ndjeshëm. Nën-shporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Ai është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.

Ulja e inflacionit bazë për momentin i ka lehtësuar presionet më të qëndrueshme inflacioniste mbi ekonominë. Megjithatë, rreziqet inflacioniste ngelen të larta, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve, si rezultat i tensioneve gjeopolitike globale.

Në muajin tetor, inflacioni total në ekonomi shënoi një rritje të ndjeshme në nivelin 3.4%. Deri tani, Banka e Shqipërisë ka preferuar të mbajë të pandryshuar normën bazë, me besimin që vala inflacioniste do të jetë kalimtare dhe inflacioni do të kthehet në objektiv vitin e ardhshëm./E.Shehu

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Rregullorja e re, nga 1 janari 2027 ulen komisionet e tregtarëve për të pranuar pagesa me kartë

Banka e Shqipërisë ka publikuar zyrtarisht rregulloren e re “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”. Rregullorj...

4 hours më parë 4 Min Lexim

Tenderat publikë, nga 2 dhjetori ndryshon deklarata e konfliktit të interesit

Për të gjithë tenderat publikë që shpallen nga 2 dhjetori 2026 do të përdoret deklarata e rishikuar për konfliktin e interesit. Agjencia e Prokurim...

4 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!