Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me ndryshimet e parashikuara në Paktën Fiskale 2027 për Taksën e Qarkullimit, duke i cilësuar ato si një zhvendosje të pagesës dhe jo si një lehtësim real për qytetarët.
Në një reagim publik, Xhixho thekson se taksa nuk hiqet, por transferohet nga çmimi i naftës në pompë në një pagesë vjetore pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Sipas saj, kjo skemë do të dyfishojë barrën fikse vjetore për shumicën e pronarëve të automjeteve, veçanërisht për ata që i përdorin makinat rrallë.
Postimi:
PAKTA FISKALE 2027/ HEQJA E TAKSËS SË QARKULLIMIT ËSHTË VETËM PROPAGANDË: QYTETARËT NUK KURSEJNË ASNJË LEK, POR PAGUAJNË MË SHUMË!
Heqja e Taksës së Qarkullimit nga çmimi i naftës, pjesë e Paktës Fiskale 2027, nuk përbën një ulje reale të barrës fiskale. Është thjesht zhvendosje e pagesës nga çmimi i karburantit në pomp tek pagesa si Taks Vjetore te Drejtoria e Transportit Rrugor.
Pra, taksa nuk hiqet, por vetëm ndryshon mënyra se si mblidhet. Ndryshon vetëm mënyra se si u merren paratë nga xhepi!
Çfarë sjell në të vërtetë kjo skemë?
Dyfishim të barrës fikse vjetore për shumicën e pronarëve të automjeteve. Veçanërisht penalizohen ata që e përdorin makinën rrallë, të cilët deri tani paguanin në raport me konsumin real të karburantit.
Asnjë garanci për uljen e çmimit në pompë. Në një treg ku konkurrenca nuk funksionon , lehtësimi fiskal mund të mos përkthehet në përfitim për konsumatorin, por të përthithet nga kompanitë e karburanteve.
Partia e Lirisë ka kërkuar TRE HERË PEZULLIMIN (2017,2022,2025) e Taksës së Qarkullimit dhe Taksës së Karbonit, si një masë konkrete për uljen e çmimit të naftës dhe lehtësimin e barrës mbi qytetarët dhe bizneset, në përputhje edhe me masat e ndërmarra nga vende të tjera.
Maxhoranca i refuzoi këto kërkesa, duke treguar se lehtësimi real i qytetarëve nuk ka qenë kurrë prioriteti i saj.
Sot, të njëjtët që refuzuan uljen reale të taksave, dalin të shesin propagandën e një lehtësimi që nuk ekziston.
Kjo nuk është reformë fiskale, por një tjetër skemë për të mashtruar qytetarët dhe për të mbushur arkën e shtetit në kurriz të tyre.
Qeveria nuk po ua heq taksën shqiptarëve. Po ua ndërron vetëm xhepin nga i cili ua merr paratë!