Gjykata Themelore në Prishtinë, pas rigjykimit, e dënoi Besnik Salihun me gjithsej 24 vjet burgim për vrasjen e S.S. Vëllai i tij, Ilaz Salihu, u lirua nga akuza.
Besnik Salihu u shpall fajtor për “Vrasje” dhe mori dënimin prej 23 vjetësh burgim. Për armëmbajtje pa leje iu shqiptua edhe një vit e gjashtë muaj burgim; gjykata caktoi një dënim unik prej 24 vjetësh.
Të lidhura
None found
Ilaz Salihu u shpall i pafajshëm për akuzën se kishte ndihmuar në kryerjen e vrasjes, pasi nuk u vërtetua se e kishte kryer veprën penale.
Vendimi u bë i ditur të martën nga trupi gjykues, i kryesuar nga Alban Ajvazi, me anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Gent Beka.
Prokuroria e akuzonte Besnik Salihun për vrasjen e S.S. në mars të vitit 2023, në Dumnicë të Podujevës, si dhe për armëmbajtje pa leje. Ilaz Salihu akuzohej për ndihmë në vrasje.
Në aktgjykimin e 11 shkurtit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Besnik Salihun me 25 vjet burgim unik, pasi veprën nga “Vrasje e rëndë” e rikualifikoi në “Vrasje”, si dhe për armëmbajtje pa leje. Edhe në atë vendim, Ilaz Salihu ishte liruar nga akuza. Gjykata e Apelit, më 23 qershor 2026, e anuloi aktgjykimin dhe e ktheu çështjen në rigjykim.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumincë e Epërme të Komunës së Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje me S.S., Besnik Salihu iu afrua atij papritur dhe në mënyrë dinake, me qëllim që t’i merrte jetën.







