Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur paraditen e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj saj.
Karçanaj është marrë e pandehur në dosjen AKSHI, ku akuzohet se, së bashku me personat e tjerë të përfshirë, ka vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke manipuluar procedurat e tenderimit, favorizuar kompani të caktuara dhe ushtruar presion ndaj operatorëve konkurrues.
Sipas hetimeve të SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri konsiderohen si dy prej personave kryesorë të skemës. Ata akuzohen për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Prokuroria dyshon se ata kanë ushtruar presion dhe intimidim ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, me qëllim që këta të fundit të tërhiqnin ankimimet dhe t’u hapnin rrugë kompanive të favorizuara për të fituar procedurat.
Ndërkohë, Mirlinda Karçanaj dhe ish-zëvendësja e saj, Hava Delibashi, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas SPAK, ato dyshohet se kanë pasur rol në procedurat e manipuluara dhe në favorizimin e kompanive të caktuara përmes kritereve të përcaktuara në mënyrë të paligjshme.
Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i cili akuzohet për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës dhe grup të strukturuar kriminal.
Ndërsa biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta akuzohen për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.



