Një këngë nacionaliste serbe e interpretuar gjatë një koncerti në Bruksel, në prag të Forumit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, ka shkaktuar polemika . Në qendër të debatit është kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, e përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në aktivitetin muzikor.
Për këtë çështje ka reaguar edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka shprehur keqardhje për zgjedhjen e repertorit, duke nënvizuar se interpretimi i kësaj kënge nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian.
Duke folur për gazetarët, pak para nisjes së Forumit për Zgjerim, Kos theksoi se synimi i Evropës nuk është të harrojë dallimet historike, por të ndërtojë një të ardhme të përbashkët, ku këto dallime të mos shndërrohen në pengesë.
Ajo rikujtoi gjithashtu se vuajtjet dhe sakrificat e popujve të kësaj pjese të Evropës gjatë së kaluarës janë të njohura për të gjithë.
Gjatë koncertit të mbajtur të dielën në mbrëmje, më 15 nëntor, u interpretuan këngë nga vendet e rajonit. Megjithatë, përfaqësuesja muzikore e Kosovës përzgjodhi këngën serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, duke shkaktuar reagime të forta nga zyrtarët në Prishtinë.
Kënga është krijuar në vitin 1989, në kuadër të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës. Ajo lidhet me një periudhë të rëndësishme të historisë politike serbe, që përkoi me ngritjen dhe konsolidimin e pushtetit të ish-presidentit serb dhe jugosllav, Slobodan Millosheviq.
Ndërkohë, Forumi për Zgjerim është aktiviteti i dytë vjetor i organizuar nga Komisioni Evropian, kushtuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Nikoqire e tij është komisionerja Marta Kos.
Forumi mbledh zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, liderë politikë të vendeve kandidate për anëtarësim, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është fakti se ky është viti i dytë radhazi që asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës nuk është ftuar të marrë pjesë në këtë forum.











