Një 36-vjeçar nga Polonia ka përjetuar pasoja të rënda shëndetësore pas realizimit të një tatuazhi me ngjyrë të kuqe, duke humbur flokët dhe aftësinë për të djersitur.

Problemet shëndetësore nisën disa muaj pas realizimit të tatuazhit në parakrahun e djathtë. Fillimisht, ai shfaqi kruarje, skuqje dhe inflamacion të lëkurës, por gjendja e tij u përkeqësua gradualisht.

Reagimi i rëndë i sistemit imunitar u përhap në pjesën më të madhe të trupit, duke shkaktuar rënien e flokëve dhe qimeve të trupit, si dhe humbjen e aftësisë për të djersitur. Pacienti zhvilloi gjithashtu vitiligo, një sëmundje që shkakton humbjen e pigmentit të lëkurës.

Për trajtimin e tij, mjekët ndërmorën disa procedura mjekësore, ndërsa 36-vjeçari iu nënshtrua gjithsej tetë ndërhyrjeve kirurgjikale për largimin e pjesëve të lëkurës të prekura nga ngjyra e kuqe e tatuazhit.

Pas trajtimit, flokët filluan t'i rriteshin përsëri dhe përparimi i vitiligos u ndal. Megjithatë, aftësia për të djersitur nuk iu rikthye, duke e lënë atë të rrezikuar nga mbinxehja e trupit.

Rasti është dokumentuar në një studim shkencor të publikuar në revistën Clinics and Practice. Studiuesit dyshojnë se përbërësit e ngjyrës së kuqe kanë shkaktuar një reagim ekstrem të sistemit imunitar, megjithëse shkaktari i saktë nuk është konfirmuar.

Ky rast i pazakontë rikthen vëmendjen te rreziqet e mundshme të reaksioneve alergjike dhe imunitare ndaj ngjyrave të përdorura në tatuazhe.