Operatorët e komunikimeve duhet të publikojnë rregullisht treguesit e cilësisë së shërbimit
Sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike do të jenë janë të detyruar të matin, monitorojnë, raportojnë dhe publikojnë rregullisht treguesit e cilësisë së shërbimit.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur një projekt-rregullore për monitorimin e cilësisë së shërbimeve të komunikimeve ndërpersonale dhe aksesit në internet, treguesit e cilësisë së këtyre shërbimeve si dhe metodat e matjes, përmbajtjen, formën dhe mënyrën e publikimit të informacionit për përdoruesit fundorë.
Përpara lidhjes së çdo kontrate, sipërmarrësit duhet t’u vënë në dispozicion përdoruesve fundorë informacion të qartë, të saktë, të krahasueshëm dhe të përditësuar mbi treguesit e cilësisë së shërbimeve që ofrojnë.
Për përmbushjen e këtij detyrimi, sipërmarrësit duhet të publikojnë çdo vit, jo më vonë se dita e fundit e punës e muajit janar, treguesit e cilësisë së shërbimit të regjistruar gjatë vitit kalendarik paraardhës, për secilin nga treguesit e përcaktuar në shtojcat e kësaj rregulloreje. Informaconi duhet të përditësohet sa herë që gjatë vitit ndryshojnë nivelet e cilësisë së shërbimit të publikuara.
Në rastin e shërbimit të aksesit në internet, informacioni lidhur me nivelet minimale të cilësisë së shërbimit që sipërmarrësi angazhohet të garantojë për përdoruesit fundorë përbën pjesë të informacionit parakontraktor dhe vihet në dispozicion të përdoruesit fundor përpara lidhjes së kontratës.
Gjithashtu, AKEP do t’u vendosë në dispozicion përdoruesve fundorë një sistem matjeje të pavarur nga ofruesit, me metodologji të publikuar, për treguesit kryesorë të cilësisë së shërbimit të aksesit në internet, duke përfshirë shpejtësinë e shkarkimit dhe të ngarkimit të të dhënave; vonesën; ndryshimin e vonesës dhe raportin e humbjes së paketave.
Sistemi do të ketë për qëllim rritjen e transparencës mbi cilësinë e shërbimit të aksesit në internet dhe mundësojë monitorimin e performancës së këtij shërbimi, evidentimin e ndryshimeve ose degradimit të cilësisë, si dhe publikimin e rezultateve në mënyrë të agreguar, kur është e përshtatshme.
Përputhshmëria me treguesit e cilësisë së shërbimit për rrjetet dhe shërbimet fikse dhe të lëvizshme të komunikimeve elektronike do të vlerësohet në bazë të matjeve të kryera nga AKEP nëpërmjet qendrës së lëvizshme të monitorimit, inspektimeve të kryera nga Autoriteti, si dhe raportimit periodik të sipërmarrësve përmes vetëdeklarimit.
Matja e cilësisë së shërbimit do të përfshijë ofertat dhe nivelet e cilësisë që ofrohen realisht në treg. Kur ka oferta me nivele të ndryshme cilësie, rezultatet do të ndahen sipas kategorive të krahasueshme të shërbimit, teknologjisë dhe, kur është e nevojshme, zonës gjeografike.
Operatorët duhet të krijojnë dhe zbatojnë procedura, sisteme informacioni dhe mekanizma të përshtatshëm për matjen, monitorimin, regjistrimin dhe administrimin e treguesve të cilësisë së shërbimit, si dhe të sigurojnë që këto mekanizma të mundësojnë verifikimin dhe kontrollin e proceseve të matjes dhe rezultateve të raportuara, nga AKEP-i ose nga një subjekt i autorizuar prej tij. Gjithashtu, ato duhet të publikojnë dhe vënë në dispozicion të përdoruesve fundorë dhe AKEP-it informacionin mbi treguesit e cilësisë së shërbimit./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









