Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Irlandës, Foda me shumë ndryshime

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar për ndeshjen ndaj Irlandës, me rikthimin e Arijanet Muricit në portë, debutimin e mundshëm të Bleon Kurtulusit dhe kalimin nga skema 3-4-3 në atë 3-5-2, mëson Telegrafi.
Kosova përballet sot (e martë) me Irlandën në Dublin, në ndeshjen e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndërsa Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar.
Ndryshimi i parë pritet të jetë në portë, ku Arijanet Muric rikthehet mes shtyllave, duke zënë vendin e Amir Saipit, i cili ishte titullar në barazimin pa gola ndaj Izraelit në Prishtinë.

Në repartin mbrojtës pritet të ketë gjithashtu ndryshime, por edhe një tjetër risi.
19-vjeçari Bleon Kurtulus mund të debutojë me fanellën e Kosovës, duke zënë vendin e Kreshnik Hajrizit në treshen e mbrojtjes, së bashku me Lindrit Kamberin dhe Ilir Krasniqin.

Ndryshime priten edhe në mesfushë, ku rikthehen nga minuta e parë Elvis Rexhbeçaj dhe Lindon Emërllahu. Ky i fundit zë vendin e Veldin Hoxhës, i cili mungon për shkak të suspendimit, ndërsa Rexhbeçaj pritet të marrë më shumë përgjegjësi në organizimin e lojës së bashku me Leon Avdullahun.
Në krahë do të jenë Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda, ndërsa në sulm pritet të luajnë Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani. Ky i fundit rikthehet në formacion pasi e nisi nga banka ndeshjen me Izraelin, duke zënë vendin e Milot Rashicës. Ndërkohë, Edon Zhegrova është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të jetë edhe në skemën taktike. Përballë Izraelit, Kosova luajti me sistemin 3-4-3, ndërsa ndaj Irlandës, Foda pritet t'i rikthehet skemës 3-5-2, me të cilën Dardanët kanë pasur shumë sukses në të kaluarën.
Ndryshe, ndeshja Irlandë-Kosovës është paraparë të zhvillohet në "Aviva Stadium" dhe është e vlefshme për ndeshjen e fundit të grupit B3 në Ligën e Kombeve dhe "Dardanët" me një barazim ose një fitore sigurojnë pozitën e dytë. /Telegrafi/
Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Irlandës












































