Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 7.5 milionë euro pasuri të një shtetasi, i dyshuar për përvetësimin e Fabrikës së Miellit në Vlorë përmes mashtrimit.
Sipas hetimeve, G.V. dyshohet se ka regjistruar në emrin e tij objektin dhe truallin e fabrikës, në vend që ato të figuronin si pasuri të shoqërisë dhe të ortakëve të tjerë.
Më pas, një pjesë e pronës dyshohet se është tjetërsuar te dy shtetas të tjerë, duke ngritur edhe dyshime për pastrim të produkteve të veprës penale.
Me kërkesë të Prokurorisë janë vendosur në sekuestro preventive tetë pasuri të paluajtshme, përfshirë ndërtesa, njësi dhe truall në qytetin e Vlorës.
Hetimet vijojnë për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe pastrimit të parave.

