“Jepi shefit një kafe”/ SPAK zbardh skemën, si morën ryfshet ish-policët për të mbyllur dosjen
Nga 3.5 milionë lekë të kërkuara fillimisht, shuma u negociua në 2.7 milionë, të cilat dyshohet se u dorëzuan në komisariat.
Dosja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj dy ish-punonjësve të Policisë në Orikum zbulon detaje mbi mënyrën se si dyshohet se u kërkuan dhe u dorëzuan 2.7 milionë lekë të vjetra për të mbyllur një çështje penale. Në qendër të hetimit janë ish-shefi i krimeve, Daniel Likskëndaj, dhe specialisti i zonës, Afrim Ferraj, të cilët akuzohen se kërkuan përfitim të paligjshëm nga një qytetar, duke i premtuar se ndaj tij nuk do të regjistrohej procedim penal.
Nga 3.5 milionë lekë të vjetra që pretendohet se u kërkuan fillimisht, shuma përfundimtare u negociua në 2.7 milionë lekë. Sipas dëshmisë së kallëzuesit Everest Basho, paratë u sollën në ambientet e Stacionit të Policisë Orikum dhe u vendosën poshtë çantës së shefit të krimeve.
“Jepi shefit një kafe”, mesazhi që zbulon kërkesën për para
Në materialet hetimore të SPAK përshkruhet dëshmia e Everest Bashos, i cili pretendon se gjithçka nisi pas një konflikti fizik me një koleg nga Kosova, me të cilin kishte pasur një përplasje gjatë punës.
Sipas tij, pas shoqërimit në Stacionin e Policisë Orikum, ai u përball me Afrim Ferrajn dhe Daniel Likskëndajn. Ky i fundit u prezantua si shefi i sektorit të krimeve, ndërsa Ferraj si punonjësi i policisë që mbulonte zonën.
Basho pretendon se gjatë bisedës iu komunikua se ndaj tij ishte bërë një kallëzim penal për goditjen e kolegut. Për më tepër, sipas dëshmisë, Likskëndaj i kishte përmendur edhe veprën penale të pengmarrjes, duke i shpjeguar se ajo dënohej me 7 deri në 10 vite burg.
Pavarësisht pretendimit të Bashos se konflikti fizik ishte zgjidhur dhe se ai ishte pajtuar me kolegun, situata, sipas versionit të tij, u paraqit si një çështje me pasoja të rënda penale.
Në këto rrethana, sipas dosjes, Afrim Ferraj i kishte sugjeruar të jepte një shumë parash për shefin e krimeve, duke përdorur shprehjen “një kafe”.
“Afrimi i tha që jepi shefit një kafe dhe mbylle këtë punë, por nuk duhet të bisedosh jashtë me asnjë njeri, kur të dalësh që këtej”, citohet të ketë deklaruar Basho.
Nga 3.5 milionë në 2.7 milionë lekë, si u arrit marrëveshja
Sipas dëshmisë së kallëzuesit, fillimisht iu kërkuan 3.5 milionë lekë të vjetra. Basho pretendon se u shpjegoi punonjësve të policisë se nuk kishte mundësi të siguronte këtë shumë dhe se dispononte vetëm 2.7 milionë lekë, të kursyera nga pagat e tij.
Pas këtij komunikimi, Ferraj është larguar nga zyra për të diskutuar veçmas me Likskëndajn. Kur është kthyer, sipas Bashos, i ka konfirmuar se çështja mund të mbyllej kundrejt shumës që ai kishte në dispozicion.
“Afrimi doli nga zyra e tij dhe i tha të priste sa të bisedonte me shefin. Pasi folën veçmas, erdhi dhe i tha që OK, do ta mbyllim me aq”, thuhet në dëshminë e administruar në dosje.
Si u sollën paratë në komisariat dhe ku u vendosën
Një nga pjesët më të rëndësishme të dëshmisë lidhet me mënyrën konkrete të dorëzimit të shumës prej 2.7 milionë lekësh të vjetra.
Meqenëse Basho nuk i kishte paratë me vete, ai telefonoi personin me të cilin ndante dhomën, Klejvis Minon, duke i kërkuar t’ia sillte ato në Stacionin e Policisë Orikum.
Rreth 15 minuta më vonë, Mino mbërriti në komisariat me një çantë ku ndodhej shuma e kërkuar. Sipas kallëzuesit, në këtë moment Afrim Ferraj i dha udhëzimet se si duhej të kryhej dorëzimi.
“Afrim Ferraj më tha që merr lekët, mbështilli në një fletë formati të bardhë dhe vendosi poshtë çantës së shefit Daniel Likskëndaj dhe ik”, citohet në dosje dëshmia e Bashos.
Ky i fundit pretendon se i ka mbështjellë paratë me një fletë të bardhë dhe i ka vendosur poshtë çantës së zezë që mbante në krah shefi i krimeve. Sipas tij, veprimi është kryer në prani të të dy punonjësve të policisë.
Dosja e SPAK: Dy deklarimet u grisën dhe u hodhën në kosh
Një tjetër episod i përshkruar në materialet hetimore lidhet me veprimet që, sipas kallëzuesit, Daniel Likskëndaj kreu pasi mori paratë.
Basho ka pretenduar se shefi i krimeve mori dy deklarimet e dhëna lidhur me konfliktin dhe i grisi përpara tij, duke i hedhur më pas në koshin e mbeturinave.
Sipas versionit të kallëzuesit, Likskëndaj i kishte komunikuar se çështja do të mbyllej, pasi ai dhe kolegu me të cilin ishte konfliktuar ishin pajtuar. Gjithashtu, pretendohet se i kishte garantuar se ngjarja nuk do të regjistrohej në sistemin policor.
Në të njëjtën bisedë, Basho ka deklaruar se i ishte premtuar edhe një telefonatë pas tri ditësh, për të verifikuar nëse marrëdhëniet me kolegun ishin normalizuar. Megjithatë, sipas tij, kjo telefonatë nuk u realizua.
Nga konflikti në Palasë te hetimi për korrupsion
Ngjarja që çoi në përfshirjen e Bashos në këtë çështje daton më 8 shtator 2025.
Sipas kallëzimit, ai kishte punuar nga qershori deri më 8 shtator të atij viti si elektricist në një biznes privat në Palasë, në pronësi të Gentjan Koles. Krahas kësaj pune, angazhohej edhe si shofer furgoni për transportimin e punonjësve të kompanisë “Miku” sh.p.k., e cila merrej me mirëmbajtjen e vilave në kompleksin “Green Coast”.
Rreth orës 16:30 të 8 shtatorit 2025, gjatë transportimit të punonjësve nga Palasa drejt Orikumit, Basho u përfshi në një debat me një kuzhinier nga Kosova, të identifikuar me emrin Vigan.
Ai ka deklaruar se fillimisht pati një përplasje verbale për shkak të ofendimeve të përsëritura, por situata degradoi në konflikt fizik. Një punonjës tjetër ndërhyri për t’i ndarë, ndërsa më vonë të dy u pajtuan.
Basho ka treguar gjithashtu se, pasi mbërriti në banesën ku qëndronte në Orikum, pronari i biznesit, Gentjan Kole, e goditi me pëllëmbë, pa i dhënë ndonjë shpjegim.
Më vonë, ndërsa ndodhej në një lokal, ai mori një telefonatë nga një person që u prezantua si punonjës policie dhe i kërkoi të paraqitej në stacion, pasi ndaj tij ishte bërë një kallëzim.
Pas rreth dy orësh pritjeje në komisariat, ai u takua me Ferrajn dhe Likskëndajn, ku, sipas dëshmisë së tij, iu komunikuan akuzat dhe pretendimet për pasojat e mundshme ligjore.
SPAK kërkon nga dy vite burg për ish-punonjësit e policisë
Në përfundim të hetimeve dhe gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare në gjykatë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me nga dy vite burg për dy ish-punonjësit e Policisë në Orikum.
Prokurori Elvin Gokaj ka kërkuar dy vite burg për ish-shefin e krimeve Daniel Likskëndaj dhe të njëjtin dënim për specialistin e zonës së policimit në komunitet, Afrim Ferraj.
Gjithashtu, për të dy është kërkuar heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë trevjeçare.
Ndërkohë, për Everest Bashon, qytetarin që denoncoi rastin, prokuroria ka kërkuar dënimin me tetë muaj burg.
Tashmë mbetet që gjykata të shprehet përfundimisht mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve dhe pretendimet e ngritura gjatë procesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



