E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Pas dënimit me 25 vite burg, Hashim Thaçi merr goditjen e radhës nga Haga
Bota

Pas dënimit me 25 vite burg, Hashim Thaçi merr goditjen e radhës nga Haga

Ish-presidenti i Kosovës dënohet me 17 muaj burg nga Gjykata Speciale për pengim të drejtësisë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, në përfundim të procesit gjyqësor për pengim të drejtësisë. Në të njëjtën çështje janë shpallur vendimet edhe për katër të bashkakuzuarit e tij, me dënime të ndryshme, ndërsa njëri prej tyre është shpallur i pafajshëm.

Gjatë seancës për shpalljen e aktgjykimit, gjykatësi Christopher Gosnell lexoi përmbledhjen e vendimit ndaj Thaçit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

Sipas përfundimeve të paraqitura në gjykatë, çështja lidhet me pretendimet për përfshirjen e ish-presidentit në organizimin e tri grupeve, ku bënin pjesë Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, gjatë vizitave që ata zhvillonin në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Në kuadër të procesit, Prokuroria ka paraqitur 241 prova materiale, të cilat janë shqyrtuar nga trupi gjykues. Mes tyre kanë qenë edhe regjistrime audio të bisedave mes Thaçit dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje, të realizuara gjatë vizitave në ambientet e paraburgimit.

Vendimi për katër të bashkakuzuarit

Gjykata Speciale ka përcaktuar edhe përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë proces. Konkretisht, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë dënuar me nga 12 muaj burgim secili.

Ndërkohë, për ish-ministrin Hajredin Kuçi është dhënë një dënim prej një muaji burgim me kusht, ndërsa Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.

Me shpalljen e këtyre vendimeve ka përfunduar seanca gjyqësore në Hagë për çështjen e pengimit të drejtësisë.

Një tjetër vendim penal ndaj ish-presidentit

Dënimi i ri vjen pas një tjetër vendimi të rëndë për Hashim Thaçin. Më 16 shtator, në Hagë, ish-presidenti i Kosovës u dënua me 25 vite burgim në një tjetër proces gjyqësor.

Vendimi i fundit, që parashikon 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë, përbën një tjetër zhvillim të rëndësishëm në proceset gjyqësore që po zhvillohen ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.