Humbi jetën në aksidentin tragjik, shefit të Krimeve i jepet lamtumira e fundit në Drejtorinë e Policisë Fier
Trupi i pajetë i efektivit të Policisë, Ermal Lulaj, shefit të Krimeve në Vlorë, ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën në autostradën Fier-Vlorë.
Lulaj humbi jetën mbrëmjen e djeshme në afërsi të Novoselës, pasi automjeti tip “Toyota”, me të cilin udhëtonte, u përplas me një skrep që ndodhej në lëvizje.
Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen nga ora 11:00 deri në 12:00, ku familjarë, të afërm dhe kolegë do t’i japin lamtumirën e fundit. Në ceremoninë mortore është bashkuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Pas homazheve, efektivi do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e qytetit.
Ermal Lulaj ka pasur një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, ku ka mbajtur disa detyra drejtuese në qarqe të ndryshme. Më herët, ai ka shërbyer edhe si shef i Antidrogës.
Ai lë pas tre fëmijë dhe një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët, të cilët sot e kujtojnë me respekt dhe mirënjohje për kontributin e tij në uniformën e Policisë së Shtetit.




