Një incident ka shoqëruar Papa Leonin XIV gjatë vizitës së tij në Peru, ku një objekt, që dyshohet të ketë qenë një rruzare, e ka goditur në sy teksa makina papale po kalonte mes turmës të hënën. Ngjarja ndodhi gjatë rrugës drejt bazës ajrore Las Palmas, ku ishte planifikuar të zhvillohej mesha përmbyllëse e vizitës apostolike.
Në pamjet e publikuara nga momenti i incidentit, Papa, 71-vjeç, shihet duke prekur dhe fërkuar syrin menjëherë pas goditjes. Pavarësisht kësaj, situata nuk duket se ka shkaktuar pasoja serioze, pasi kreu i Kishës Katolike vazhdoi programin e tij pa ndërprerje dhe mori pjesë në ceremoninë fetare.
Gjatë fjalës së mbajtur përpara besimtarëve, Leoni XIV theksoi se përfundimi i vizitës nuk shënon fundin e misionit të tij, ndërsa shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë që i rezervoi populli peruan.
“Udhëtimi im po përfundon, por misioni vazhdon”, u shpreh Papa, duke shtuar se do ta ruajë gjithmonë Perunë në zemrën e tij.
“Në përfundim të këtij udhëtimi apostolik, edhe unë dëshiroj t’ju forcoj në besim dhe dashuri dhe t’ju siguroj se do t’ju mbaj gjithmonë me vete. Po, edhe populli peruan është populli im!”, deklaroi Leoni XIV.

