Jorida Tabaku akuzoi sot ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, se kanë refuzuar kërkesat për dëgjesë në Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe Medias lidhur me veprimet e policisë në protestat kundër qeverisë. Sipas saj, kërkesa për Demon është depozituar prej mbi një muaji, ndërsa Hitajt i janë kërkuar shpjegime për këto veprime. 

Përmes një deklarate për mediat, deputetja e PD-së kërkoi sqarime për mbi 1 000 persona që sipas saj janë shoqëruar, mes tyre siç tha ajo, 250 të mitur, si dhe për përdorimin e gazit, plumbave të gomës dhe mbi 60 incidente të raportuara mes policisë dhe gazetarëve. “Mirëpo ata kanë zgjedhur të heshtin!”, tha ajo.

Tabaku akuzoi gjithashtu deputetët socialistë se kanë bllokuar përcjelljen e kërkesës për dëgjesë me drejtuesen e AMA-s, institucion të cilin e akuzon për anësi në gjobitjen e mediave që u japin hapësirë zërave opozitarë.

Tabaku tha se këto shqetësime i ka ngritur edhe para eurodeputetëve në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), duke kërkuar më shumë transparencë dhe kontroll parlamentar.

“Një demokraci nuk mund të jetë institucionale nëse nuk ka transparencë dhe kontroll”, deklaroi ajo.