Ekonomia shqiptare vijon të operojë mbi potencialin e saj, duke gjeneruar rrjedhimisht presione për rritjen e inflacionit.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se megjithatë, hendeku pozitiv i prodhimit po vjen drejt ngushtimit. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve ngelet sidoqoftë mbi mesataren historike, ndërsa kushtet në tregun e punës janë ende të shtrënguara.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këta tregues sinjalizojnë praninë e një disbalance midis kërkesës dhe ofertës, si në tregun e mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe në tregun e punës, disbalancë e cila ushtron presion për rritje të inflacionit. Deri më tani, ndikimi i këtyre presioneve është amortizuar pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe ngushtimi i marzheve të fitimit të bizneseve.
Ndonëse këta tregues mbeten disi mbi mesataret e tyre historike, nivelet e tyre aktuale sugjerojnë se presionet e brendshme inflacioniste janë përgjithësisht në linjë me objektivin e inflacionit. Paralelisht me to, ngadalësimi i inflacionit të qirave ka kontribuar në zbutjen e inflacionit bazë dhe të brendshëm.
Në muajin shtator, inflacioni vjetor bazë u ul në 2.37%, nga 2.78% që kishte qenë një muaj më parë. Inflacioni bazë për të dytin muaj ishte në rënie edhe me bazë vjetore, duke zbritur poshtë nivelit prej 3.07% ku kishte qenë një vit më parë.
Për herë të parë pas shumë vitesh, inflacioni bazë është stacionuar prej tre muajsh poshtë nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për shtatorin shënoi nivelin 2.9%. Rënia e inflacionit bazë në muajt e fundit ka qenë e lidhur sidomos me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e inflacionit bazë në vitet e fundit.
Në muajin shtator, inflacioni për këtë nëngrup ra në 3.3%, nga 6.6% që kishte qenë një vit më parë. Rënia duket të jetë e lidhur me mbylljen e ciklit 12-mujor, duke qenë se prej sezonit veror 2025 inflacioni i këtij grupi kishte shënuar një përshpejtim të ndjeshëm. Nën-shporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Ai është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.
Ulja e inflacionit bazë për momentin i ka lehtësuar presionet më të qëndrueshme inflacioniste mbi ekonominë. Megjithatë, rreziqet inflacioniste ngelen të larta, për shkak të shtrenjtimit të karburanteve, si rezultat i tensioneve gjeopolitike globale.
Në muajin tetor, inflacioni total në ekonomi shënoi një rritje të ndjeshme në nivelin 3.4%. Deri tani, Banka e Shqipërisë ka preferuar të mbajë të pandryshuar normën bazë, me besimin që vala inflacioniste do të jetë kalimtare dhe inflacioni do të kthehet në objektiv vitin e ardhshëm./Monitor