Frenohen eksportet në tetor, rritje vetëm 1.5%, bien materialet e ndërtimit dhe fasoni
Eksportet shqiptare të mallrave u rritën me vetëm 1,5% në tetor, pas zgjerimit me 14,8% në shtator.
Rënia e eksporteve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve, si dhe tkurrja e mëtejshme e tekstileve dhe këpucëve, ngadalësuan rritjen. Ndërkohë, importet u rritën me 9,8%, duke e zgjeruar deficitin tregtar me 15,1%.
Sipas INSTAT-it, eksportet e mallrave arritën në 31,6 miliardë lekë në tetor. Materialet e ndërtimit dhe metalet e ulën ritmin e rritjes me 2,7 pikë përqindjeje, ndërsa tekstilet dhe këpucët me 2,4 pikë. Kontributin më të madh pozitiv e dha grupi “Të tjera”, me 3,8 pikë përqindjeje, i ndjekur nga mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me 1,4 pikë dhe makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit me 1 pikë.
Për 10-mujorin, eksportet arritën në 310,5 miliardë lekë, me rritje 6,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Shtesën më të madhe në vlerë e dhanë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike, të ndjekura nga materialet e ndërtimit dhe metalet. Tekstilet dhe këpucët shënuan rënien më të madhe në vlerë.
Fasoni vijon rënien
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 8,4% në tetor, pas tkurrjes me 16,2% në shtator. Në janar–tetor, ato zbritën në 79,8 miliardë lekë, me rënie vjetore 8,9%. Megjithë tkurrjen, tekstilet dhe këpucët mbetën grupi më i madh, me rreth 26% të eksporteve të mallrave.
“Rënia e euros dhe rritja e kostove të prodhimit po dobësojnë konkurrueshmërinë”, tha Florian Zekja, kryetar i Shoqatës së Manifakturës. Ai kërkoi që masat për mbështetjen e prodhuesve dhe eksportuesve të përfshiheshin në Paketën Fiskale 2027.
Edvin Prençe, kryetar i ProEksport Albania, paralajmëroi se tkurrja e fasonit po dobësonte kapacitetet prodhuese të vendit. Ai kërkoi mbështetje për investimet në teknologji dhe për kalimin drejt prodhimit me vlerë të shtuar më të lartë. “Nëse humbasim fabrikat sot, nesër nuk do të kemi çfarë të mbështesim”, tha Prençe.
Mineralet dhe lëndët djegëse udhëheqin rritjen e 10-mujorit
Eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike u rritën me 9,2% në tetor, në 5,2 miliardë lekë, pas rritjes me 86,4% në shtator. Për shtatorin, burime nga Bankers Petroleum i thanë Monitor se eksportet e naftës ishin favorizuar nga çmimet më të larta në bursat ndërkombëtare.
Për 10-mujorin, eksportet e këtij grupi arritën në 67,1 miliardë lekë, me rritje 24,8%. Krahasuar me një vit më parë, grupi shtoi 13,3 miliardë lekë eksporte, më shumë se çdo grup tjetër.
Materialet e ndërtimit dhe metalet bien në tetor
Pas rritjes me 22,7% në shtator, eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve ranë me 14% në tetor, në 5,1 miliardë lekë. Në janar–tetor, shitjet jashtë vendit arritën në 47,9 miliardë lekë, me rritje 16,4%. Grupi dha kontributin e dytë më të madh në rritjen e eksporteve të 10-mujorit.
Makineritë dhe pjesët e këmbimit vijojnë rritjen
Eksportet e grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ku peshën kryesore e mban industria e pjesëve të automjeteve, u rritën me 8,6% në tetor, në 4,1 miliardë lekë. Për 10-mujorin, eksportet e grupit arritën në 37,3 miliardë lekë, me rritje 11,9%.
Ushqimet, pijet dhe duhani, rritje e lehtë
Eksportet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit u rritën me 2,7% në tetor, në 4,8 miliardë lekë. Për periudhën janar–tetor, ky grup eksportoi 47,6 miliardë lekë, me rritje 3,3% me bazë vjetore. Bujqësia po vuan mungesën e subvencioneve dhe nga ana tjetër rënie te të ardhurave nga nënçmimi i euros.
Importet rriten me 9,8%, zgjerohet deficiti
Importet e mallrave arritën në 87,5 miliardë lekë në tetor. Nga rritja vjetore prej 9,8%, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike dhanë 5,6 pikë përqindjeje, ndërsa makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit dhanë 3 pikë. Deficiti tregtar arriti në 55,9 miliardë lekë, me rritje 15,1%.
Për 10-mujorin, importet arritën në 777,8 miliardë lekë, me rritje 5,6%. Deficiti tregtar u zgjerua me 5%, në 467,3 miliardë lekë.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në tetor, eksportet drejt Italisë u rritën me 0,6% dhe ato drejt Gjermanisë me 2,9%. Eksportet drejt Kosovës ranë me 6,9% dhe ato drejt Greqisë me 6,1%.
Importet nga Kina u rritën me 36,6% dhe ato nga Greqia me 19,6%. Importet nga Italia ranë me 14,8% dhe ato nga Gjermania me 15,6%.
Bashkimi Europian zinte 52,1% të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë në tetor. Drejt vendeve të BE-së shkuan 71,2% e eksporteve, ndërsa prej tyre erdhën 45,2% e importeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.













