Humbja e rëndë 5-0 ndaj Gjermanisë në Ligën e Kombeve ka shkaktuar reagime të shumta në Holandë, ku kritikat ndaj futbollistëve të përfaqësueses nuk kanë munguar. Një prej lojtarëve më të kritikuar është Denzel Dumfries, paraqitja e të cilit është vënë në pikëpyetje nga analistët holandezë.
Ish-mbrojtësi Khalid Boulahrouz, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Chelsea-n, ka komentuar performancën e futbollistit, duke vënë në dukje problemet e tij në fazën mbrojtëse.
Sipas tij, Dumfries është shumë më i rrezikshëm kur avancon në sulm, por ka vështirësi kur duhet të përqendrohet në detyrat defensive.
“Sigurisht që ai pati ndikim të rëndësishëm me depërtimet e tij në krah, por pikat e tij të dobëta kanë qenë gjithmonë në mbrojtje. Nuk besoj se ndihet shumë komod në fazën defensive. Mbrojtësit që nuk janë shumë të mirë në mbrojtje ose që nuk e pëlqejnë atë, preferojnë të sulmojnë. Mendoj se këtë e kam vënë re edhe tek ai”, deklaroi Boulahrouz.
Më tej, ish-futbollisti përdori një krahasim të fortë për të përshkruar vështirësitë e Dumfries në fushë.
“Ai dukej në vështirësi, sikur të kishte një thes me patate mbi shpinë”, u shpreh ai.