Greqi, alarm në Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit pas zbulimit të një zarfi me pluhur të bardhë Bashkimi Europian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke përfshirë në të mbi 100 individë dhe organizata të akuzuara për mbështetjen e luftës kundër Ukrainës, përhapjen e propagandës dhe ndërmarrjen e sulmeve kibernetike.
Masat prekin agjencinë ruse të propagandës Social Design Agency, disa figura të njohura të medias ruse dhe grupin e hakerëve proruse NoName057(16), i cili akuzohet për sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe infrastrukturës kritike në Ukrainë dhe vendet e BE-së.
Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe Tatjana Kim, sipërmarrësja më e pasur e Rusisë dhe pronare e platformës së tregtisë online Wildberries.
Sipas Këshillit të BE-së, platforma e saj ndihmon furnizimin e ushtrisë ruse me mallra ushtarake dhe produkte me përdorim të dyfishtë. Paketa përfshin gjithashtu afro 50 banka dhe institucione financiare ruse, si dhe kompani nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sejshellet dhe Omani, të lidhura me transportin dhe tregtinë e naftës ruse përmes të ashtuquajturës flotë hije.
Sanksionet parashikojnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e transaksioneve ekonomike dhe kufizime udhëtimi për individët e përfshirë. Përmes këtyre masave, BE-ja synon të vazhdojë presionin ekonomik dhe politik ndaj Moskës edhe në kushtet e negociatave të reja për paqe.
Brukseli po punon aktualisht për paketën e 22-të të sanksioneve, që pritet të marrë dritën jeshile para fundit të vitit.
Top Channel