Dy ndeshje, dy gola, dy asist dhe spektakolar me driblimet në fushë. Brajan Gruda po shkëlqen me fanellën e Gjermanisë, ndërsa në Shqipëri lind natyrshëm një pyetje: Si e humbëm këtë talent?
Historia e tij me Kombëtaren kuqezi nisi të merrte vëmendje përpara Evropianit të vitit 2024. Me origjinë shqiptare nga të dy prindërit, 22-vjeçari ishte në planet e FSHF-së dhe të trajnerit Sylvinho. Madje, në përpjekjet për ta bindur ishte përfshirë edhe presidenti Armand Duka.
Por, dëshira e futbollistit ishte ndryshe. Në tetor të vitit 2024, Gruda e bëri të qartë zgjedhjen e tij: ishte lindur dhe rritur në Gjermani dhe zemra i thoshte të përfaqësonte pikërisht këtë vend.
Dhe deri tani, zgjedhja po shoqërohet me një nisje mbresëlënëse! Në debutimin kundër Serbisë në Beograd, Gruda realizoi gol dhe regjistroi 9 driblime të suksesshme nga 14 tentativa. Ndërsa ndaj Holandës ishte protagonist absolut: një gol dhe dy asistime në fitoren 5-0 të Gjermanisë.
Shpejtësia, teknika, guximi në duelet një kundër një dhe aftësia për të bërë diferencën me topin në këmbë e kanë kthyer në një nga emrat më interesantë të këtij brezi gjerman.
Shqipëria tentoi ta afronte, bëri përpjekjet e saj, por vendimi ishte i vetë futbollistit.
Një talent me rrënjë shqiptare që sot po shkëlqen me ngjyrat e Gjermanisë. Me numrin mitik 10 mbi shpinë, pancerat tani kanë fituar një xhevahir që garanton një të ardhme premtuese.










