Ministrja Kumbaro takon prindër të fëmijëve me aftësi ndryshe: Mbështetje e personalizuar me një mësues për çdo fëmijë
Arsimi gjithëpërfshirës dhe mbështetja për fëmijët me aftësi ndryshe ishin në fokus të një takimi të ministres së Arsimit Mirela Kumbaro me prindërit, ku u diskutuan hapur sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe familjet e tyre në përditshmërinë shkollore, shërbimet mbështetëse, roli i mësuesit ndihmës dhe nevoja për përmirësimin e cilësisë së gjithëpërfshirjes në institucionet arsimore.
Ministrja theksoi se një nga angazhimet e rëndësishme të prezantuara në këtë drejtim lidhet me buxhetin e ri, përmes të cilit parashikohet kalimi nga raporti prej një mësuesi ndihmës për katër e më pas për dy fëmijë, drejt një mësuesi ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe.
“Besoj se arsimi gjithëpërfshirës nuk ndërtohet vetëm përmes politikave dhe udhëzimeve, por mbi të gjitha përmes dëgjimit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me prindërit, të cilët janë sot edhe shumë të informuar mbi sfidat e përbashkëta. Çdo fëmijë ka të drejtën të mësojë, të zhvillohet dhe të ndihet i pranuar. Me buxhetin e ri, do të kemi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe! Nga raporti një mësues ndihmës për 4 fëmijë, kalojmë drejt mbështetjes individuale, për arsim më gjithëpërfshirës, ku çdo nxënës merr vëmendjen dhe mbështetjen që i nevojitet”, tha ministrja e Arsimit.
Më tej Kumbaro e vuri theksin tek përmirësimi i mbështetjes individuale, forcimi i rolit të mësuesit ndihmës dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me familjet si elemente kyçe për ndërtimin e një sistemi arsimor ku asnjë fëmijë nuk lihet pas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




