Fotografi të rralla, dy flamuj origjinalë të kohës së Princ Vidit, medalje, kartolina, uniforma dhe objekte që mbartin histori. Mes tyre, dhe pena personale e Zogut, me të cilën ai firmosi kontratën e martesës, e cila për vite me radhë qëndroi e ndarë nga kutia e saj e bojës, për t’u ribashkuar shumë më vonë.
Janë vetëm disa prej thesareve që publiku mund të zbulojë në ekspozitën numizmatike, faleristike dhe filatelike “Monarkia”, një udhëtim në historinë shqiptare, përmes koleksionit të studiuesit dhe koleksionistit Artan Lame.
Ekspozita nis me figurën e Skënderbeut, vijon me periudhën e Princ Vidit dhe ndalet më gjatë te monarkia e Ahmet Zogut, nga viti 1928 deri në vitin 1938. Shtatë eksponantë sjellin objekte autentike, mes të cilave medaljet e rralla “Shqiponja e Zezë”, flamujt e kohës së Princ Vidit, medalje kushtuar artit dhe sportit shqiptar. Një trashëgimi e mbledhur ndër vite, me kërkime, udhëtime dhe përkushtim, që sot merr jetë për publikun përmes vajzës së tij, Lisia Lame.
“Është një ëndërr që kishte qenë ëndrra e babait tim për të bërë ekspozita të tilla, për ta treguar koleksionin e tij privat dhe për ta bërë pjesë të njerëzve. Pra, jo një koleksion privat i cili rri i mbyllur dhe i kyçur, por një gjë që u përket edhe njerëzve.”, tha Lisia Lame, vajza e Artan Lames për “Report TV”.
Por pas këtyre objekteve nuk fshihet vetëm vlera historike apo monetare. Secili prej tyre mbart edhe historinë e gjetjes, kërkimit dhe kujdesit të një koleksionisti që e kishte kthyer pasionin në mënyrë jetese. Vetëm flamujt e koleksionit janë mbi 200, ndërsa fondi përfshin edhe uniforma, pajisje ushtarake dhe sende të tjera të rralla.
Përtej ekspozitës së përkohshme, synimi është shumë më i madh: krijimi i një muzeu që do ta bëjë të aksesueshme këtë pasuri të trashëgimisë shqiptare.
“Muzeu është i ngecur në logjistika për momentin, por ky është një hap i parë, një shije e pjesës tjetër. Pjesa tjetër ka nga të gjitha periudhat e Shqipërisë, kështu që kjo është thjesht një kapsulë e vogël e çfarë mund të mbajë një muze i plotë.”, vijoi Lame.
Ky muze sipas koleksionistëve meriton të hapet dhe do të ishte një investim i rëndësishëm kulturor për vendin.
“Artan Lame kishte kërkuar, kishte gjetur dhe kishte koleksionuar kostume historike që përfaqësojnë periudha të ndryshme të Shqipërisë, nga viti 1913 deri në ditët e demokracisë. Janë kostume me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore. Vetëm për këtë koleksion do të ia vlente të hapej një muze. Mendoj se është e nevojshme që të bëhet një investim i tillë kulturor, sepse kjo pasuri nuk i përket vetëm kujtesës së një koleksionisti, por trashëgimisë sonë kombëtare. Përkushtimi i Artan Lames në kërkimin, mbledhjen dhe ruajtjen e këtyre objekteve është një vlerë më vete, që meriton të bëhet e njohur për publikun.”, tha koleksionisti Bajram Peçi.
Më tepër se një ekspozitë objektesh të rralla, “Monarkia” përcjell një trashëgimi që, përmes kësaj ekspozite, del nga koleksioni privat për t'u bërë pjesë e kujtesës publike. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e çelur edhe nesër, realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Shoqatën e Koleksionistëve të Shqipërisë.












Komente
Komento