E martë, 17 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Përplasja Rama-Veliaj, Ndreca sfidon kryeministrin: Pse nuk heton Toni Gogun?
Lajme

Përplasja Rama-Veliaj, Ndreca sfidon kryeministrin: Pse nuk heton Toni Gogun?

Debati për pretendimet e Erion Veliajt se është kërcënuar me rëndim të pozitës së tij penale dhe është vënë nën presion për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës ka sjellë një tjetër përplasje mes përfaqësuesve të tij ligjorë dhe kryeministrit Edi Rama.

Këtij të fundit i është përgjigjur avokati Plarent Ndreca, i cili u paraqit në ambientet e GJKKO-së për seancën gjyqësore ndaj Veliajt. Ai komentoi qëndrimin e Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku kryeministri hodhi poshtë pretendimet e kryebashkiakut dhe të mbrojtjes së tij, duke i akuzuar se po gënjejnë për çështjen e kërcënimeve.

Ndreca sqaroi se nuk ka komunikuar ende me Veliajn për deklaratat e bëra në Asamblenë e PS-së, pasi nuk janë takuar që prej së premtes. Ai theksoi gjithashtu se nuk ka pretenduar se ka qenë vetë i pranishëm gjatë episodeve të përmendura, por ka përcjellë atë që klienti i tij i ka treguar.

Megjithatë, avokati i drejtoi një mesazh të qartë kryeministrit: nëse Rama kërkon të zbardhet e vërteta, duhet të kërkojë hetimin e pretendimeve që lidhen me ministrin e tij, Toni Gogu.

Ky i fundit është personi që, sipas pretendimeve të Veliajt, e ka kërcënuar në emër të kryeministrit. Ndreca vuri në dukje se institucionet kanë përgjegjësinë të verifikojnë këto deklarime dhe të përcaktojnë nëse ka pasur ndërhyrje apo presione ndaj kryebashkiakut.

“Jo, nuk kam mundur ta kontaktoj. Nuk kam arritur ta takoj që nga e premtja dhe nuk kemi diskutuar për këtë çështje. Janë dhënë shumë versione për atë që ka ndodhur në Asamble. Unë nuk kam thënë në asnjë moment se kam qenë i pranishëm, por kam përcjellë atë që më ka thënë klienti im.

Nëse kryeministri është i shqetësuar për këtë çështje, duhet të kishte nisur hetimet për ministrin e tij. Fakti që heshtet dhe nuk hetohet nuk mund të kthehet në përgjegjësi të Veliajt. Provat janë në duart e institucioneve. Le të kryejnë verifikimet, të hetojnë dhe të nxjerrin të vërtetën, por jo duke goditur avokatin e Veliajt”, deklaroi Plarent Ndreca.

Përplasja vjen në një moment kur çështja e Erion Veliajt vijon të jetë në qendër të debatit politik dhe gjyqësor, ndërsa pretendimet për presion ndaj tij kanë hapur një tjetër front përplasjesh brenda kampit socialist.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.