Tuesday / November 17 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Aktualitet Lajmet Kryesore Nga Vendi

Nga 2027 autobusët ndërqytetas me biletë elektronike dhe integrim në Google Maps për turistët

Share Share Icon

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) po përgatit një sistem GPS për transportin ndërqytetas, me synim monitorimin dhe analizimin e flukseve të lëvizjes së autobusëve të transportit publik.

Gjatë prezantimit të shërbimeve të dixhitalizuara dhe risive që pritet të sjellë ky institucion në aktivitetin “Transformimi dixhital i shërbimeve të transportit rrugor”, drejtori i Përgjithshëm, Kreshnik Bajraktari njoftoi se nga viti 2027 synohet integrimi i këtij sistemi me Google Maps, në mënyrë që edhe turistët të kenë akses në informacionin mbi lëvizjen e transportit ndërqytetas.

Për këtë qëllim është ngritur një grup pune, me mbështetjen e GIZ, për të përmbledhur të dhënat në një server të dedikuar, ku do të përfshihen informacionet për licencat dhe lëvizjen e mjeteve.

Një tjetër zhvillim është futja e biletës elektronike në transportin ndërqytetas. Sipas Bajraktarit, brenda dy javësh pritet të nënshkruhet kontrata mes DPSHTRR-së dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për këtë projekt, ndërsa zbatimi parashikohet të nisë në vitin 2027.

Testimi teorik për lejet e drejtimit A1, A2, B1 dhe B, prej muajit tetor në 3 gjuhë

Nga tetori, testimi teorik për lejen e drejtimit mund të zhvillohet në anglisht, gjermanisht dhe italisht për katër kategori mjetesh. Nga dhjetori, trajnimi për kualifikimin e taksistëve pritet të ofrohet online.

Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR Kreshnik Bajraktari njoftoi se prej muajit tetor, testimi teorik për drejtimin e automjeteve mund të kryhet në tri gjuhë të huaja: anglisht, gjermanisht dhe italisht. Mundësia është e vlefshme për kategoritë A1, A2, B1 dhe B.

Një tjetër ndryshim lidhet me kualifikimin e drejtuesve të taksive. Sipas Bajraktarit, deri më tani kandidatët, pas aplikimit, i nënshtroheshin vetëm testimit teorik. Me programin e ri, që ka nisur të zbatohet prej tetorit, ata duhet të kryejnë fillimisht një trajnim 12-orësh dhe më pas të hyjnë në provimin teorik.

Kandidatët duhet të aplikojnë dhe të kryejnë pagesën përkatëse. Nga muaji dhjetor, trajnimi pritet të ofrohet edhe online, duke shmangur paraqitjen fizike për këtë procedurë.

Autoshkollat dhe raporti mjekësor drejt dixhitalizimit

DPSHTRR po teston gjithashtu edhe një modul online për autoshkollat, i cili synon dixhitalizimin e dosjeve të kandidatëve, reduktimin e kostove dhe shkurtimin e kohës së nevojshme për kryerjen e procedurave.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, për këtë projekt është zhvilluar një prezantim paraprak me grupet e interesit, për të marrë në konsideratë edhe sugjerimet e tyre përpara zbatimit. Prezantimi i modulit online për autoshkollat dhe raportin mjekësor pritet të bëhet gjatë festave të fundvitit.

Paralelisht, institucioni po punon për dixhitalizimin e raportit mjekësor dhe hartimin e manualit teknik për shkëmbimin online të informacionit. Me funksionalizimin e sistemit, kandidatët nuk do të kenë më nevojë ta dorëzojnë fizikisht raportin mjekësor, pasi dokumenti dhe informacioni përkatës do të shkëmbehen përmes modulit dixhital.

13,410 pagesa online të taksave të mjeteve dhe 16,4 mln lekë të arkëtuara nga gjobat

Drejtori i përgjithshëm Kreshnik Bajraktari, bëri të ditur se një prej shërbimeve të reja është pagesa online e taksave vjetore të mjeteve, e mundësuar që prej 1 janarit 2026. Deri më tani janë kryer 13,410 pagesa përmes këtij kanali, ose 2,2% e totalit të pagesave për periudhën e raportuar. Synimi është që në të ardhmen pagesat të kalojnë 100% online.

Sipas DPSHTRR-së, pagesa dixhitale shmang kohën e pritjes dhe nevojën për mbajtjen e parave cash, veçanërisht për bizneset që kanë në administrim një numër të madh automjetesh.

Dixhitalizimi ka përfshirë edhe administrimin e gjobave të vendosura nga Task-Forca gjatë kontrolleve në terren. Përmes një moduli të posaçëm, gjobat regjistrohen në sistem dhe lidhen me platformën dixhitale të shërbimeve të DPSHTRR-së. Kështu, përpara marrjes së një shërbimi, verifikohen detyrimet e papaguara dhe kërkohet shlyerja e tyre.

Sipas të dhënave të institucionit, që prej aktivizimit të modulit në vitin 2026 janë regjistruar 2,561 gjoba, nga të cilat janë arkëtuar 1,334, me një vlerë totale prej 16,4 milionë lekësh. Sistemi synon të rrisë efektivitetin e mbledhjes së gjobave të konstatuara në terren, të cilat më parë nuk kishin një mekanizëm të integruar për të garantuar arkëtimin e tyre.

Një tjetër shërbim që po përdoret nga qytetarët është sistemi CRM, përmes të cilit janë regjistruar 20,888 aplikime për kërkesa të ndryshme. Aplikimet përfshijnë ndryshimet konstruktive të automjeteve, ndryshimin e ngjyrës, instalimin e impianteve të gazit, ndryshimin e numrit të vendeve të uljes dhe procedura të tjera.

Në kuadër të përmirësimit të komunikimit me qytetarët është zgjeruar edhe asistenti virtual, i implementuar në gusht 2026. Ai mundëson kërkimin e informacionit jo vetëm përmes terminologjisë teknike, por edhe me gjuhën e përditshme dhe zhargonin. Që prej implementimit, shërbimi ka regjistruar rreth 60 mijë vizitorë. Nga kjo javë, asistenti ofron edhe komunikimin zanor, duke u përgjigjur me zë ndaj pyetjeve të qytetarëve.

Një tjetër lehtësi lidhet me njoftimin e qytetarëve për kohën kur duhet të paraqiten për të marrë shërbimin. Personat që aplikojnë për leje drejtimi apo certifikata informohen përmes kanaleve dixhitale për momentin kur duhet të paraqiten për të tërhequr dokumentacionin.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Operatorët e komunikimeve duhet të publikojnë rregullisht treguesit e cilësisë së shërbimit

Sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike do të jenë janë të detyruar të matin, monitorojnë, raportojnë dhe publikojnë rregulli...

3 hours më parë 3 Min Lexim

BSH: Ekonomia po rritet mbi potencial dhe po gjeneron presione inflacioniste

Ekonomia shqiptare vijon të operojë mbi potencialin e saj, duke gjeneruar rrjedhimisht presione për rritjen e inflacionit. Në raportin e politikës ...

4 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!