‘Dhomat e tregtisë… në unison kundër’/ Berisha: Paketa fiskale godet shtresat në nevojë, çmimet do rriten

12:57, 17/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se paketa e re fiskale, pavarësisht propagandës për uljen e TVSH-së për produktet bazë, do të rëndojë më tej qytetarët, veçanërisht shtresat në nevojë.

Gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të PD-së në selinë blu, Berisha deklaroi se përfshirja e 17 500 bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së do të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve.

Ai kritikoi edhe situatën e investimeve të huaja në vend, duke pretenduar se ato po bien dhe se ekonomia shqiptare po përqendrohet gjithnjë e më shumë te ndërtimi i kullave, në vend të zhvillimit të industrisë.

Berisha: Më kaq akoma, gjoja po u qan hallin shtresës në nevojë, shtresës më të varfër dhe po ul TVSH-në nga 20 në 6 përqind.

Kjo është identike me atë që po bën me taksën e qarkullimit.

Po pse, çfarë ka bërë?

Ka futur në TVSH 17.500 subjekte, të cilat janë në tërësi subjekte pa TVSH dhe që janë në tërësi dyqanet e shitjes së ushqimeve, të mallrave bazë, të cilat automatikisht do të rrisin çmimet.

A ka mendje më të mbrapshtë se kjo?

Në një anë thotë po i ulim, po mirë, në anën tjetër këto po i fusim në TVSH.

Janë futur të gjitha dyqanet që shesin ushqime bazë, produktet bazë dhe po kaq keq, dhe po kaq e dëmshme për qytetarin është se këtu futen profesionet e lira.

Futja e profesioneve të lira do të thotë dyfishim i çmimit të shërbimeve ose falimentim dhe largim nga Shqipëria.

Pra, paketa që gjoja e bëri për t’u qarë hallin qytetarëve në nevojë, në fakt ndëshkon më shumë se të gjithë të tjerët qytetarët në nevojë.

Do të shkojë te dentisti, do paguajë më shumë se ia ka rritur tatim fitimin në 23 përqind.

Do të shkojë tek avokati, do i presë tarifën.

Kudo që të shkojë qytetari, do gjejë një çmim më të lartë.

Ndaj dhe të gjitha dhomat e tregtisë, të gjitha organizatat përfaqësuesve në unison janë ngritur kundër kësaj pakete të pashembullt.

Me efekte rrënuese në ekonominë shqiptare.

Ju jeni të informuar se investimet e huaja në Shqipëri janë në rënie dramatike.

Kë quajnë investim të huaj këta?

Investim të huaj quajnë fitimet e kompanive të huaj në Shqipëri që investohen në Shqipëri.

Ky nuk është kapital që vjen nga jashtë, ky është kapital shqiptar. Ky krijohet në Shqipëri, investohet në Shqipëri.

800 milionë janë këto.

Tjetër, rrofshin çunat që blejnë apartamentet me 4 mijë euro metri katror.

Zëri më i fuqishëm i investimeve të huaja është real estate.

Sigurisht industria kokëposhtë, në rënie katastrofale.

Çfarë investimesh të huaja?

E dhëna e fundit, 80 përqind e ekonomisë e përqendruar në Tiranë. Jo në fabrika. Tirana nuk ka as gishtërinjtë e dorës fabrika. Ka kullat, monumente të drogës dhe korrupsionit.

Pra, rrofshin kullat me çmime stratosferike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco