Shqiptar që hakeroi ‘GTA VI’ dhe tronditi Rockstar Games pranon fajësinë
Arion Kurtaj, 21-vjeçari shqiptar që u bë i njohur për sulmin kibernetik ndaj gjigantit të videolojërave Rockstar Games, ka pranuar fajësinë për hakimin që tronditi industrinë e gaming-ut në vitin 2022.
I riu u deklarua fajtor të hënën në Gjykatën e Woolwich në Londër, duke pranuar përfshirjen në ndërhyrjen në sistemet e kompanisë që qëndron pas serisë së famshme “Grand Theft Auto”.
Gjatë sulmit, Kurtaj arriti të sigurojë dhe të publikojë rreth 90 video që përmbanin pamje të papërfunduara nga loja e shumëpritur “GTA VI”. Rrjedhja e materialeve shkaktoi një bujë të madhe ndërkombëtare, pasi zbuloi elemente të lojës shumë kohë përpara prezantimit zyrtar.
Ajo që e bëri edhe më të pazakontë këtë rast ishte mënyra se si u realizua ndërhyrja. Pavarësisht se ndodhej në lirim me kusht dhe nën mbikëqyrjen e policisë, 21-vjeçari arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games duke përdorur pajisje fare të zakonshme.
Sipas të dhënave të bëra publike, ai shfrytëzoi një pajisje Amazon Fire Stick, televizorin e dhomës së hotelit dhe një tastierë për të realizuar sulmin kibernetik.
Pasojat financiare për kompaninë ishin të konsiderueshme. Rockstar Games i ka vlerësuar dëmet në rreth 5 milionë dollarë, duke përfshirë shpenzimet për rikuperimin e sistemeve dhe të dhënave pas ndërhyrjes.
Pranimi i fajësisë shënon një zhvillim të rëndësishëm në çështjen e bujshme, ndërsa vendimi përfundimtar mbi masën e dënimit pritet të shpallet në një seancë të mëvonshme.
Rasti i Kurtajt riktheu në vëmendje cenueshmërinë e sistemeve të kompanive të mëdha teknologjike, ndërsa sulmi ndaj Rockstar Games mbetet një prej episodeve më të përfolura të viteve të fundit në botën e videolojërave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



