Irlandë– Kosovë, "Dardanëve" u mjafton një pikë për të siguruar ‘play-off’-in

- 17/11/2026 11:35- Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Irlandës, Foda me shumë ndryshime
- 17/11/2026 11:35- Kosova publikon listën për ndeshjen ndaj Irlandës, tri mungesa për Fodën
- 17/11/2026 11:34- 90 minuta larg objektivit, Kosova luan sonte për pozitën e dytë të grupit ndaj Irlandës
- 17/11/2026 11:34- Kosova gati për Irlandën, “Dardanët” zhvillojnë stërvitjen e fundit në Dublin
- 17/11/2026 11:33- Gjyqtar nga Letonia për ndeshjen Irlandë – Kosovë
- 17/11/2026 11:32- Portieri irlandez Kelleher para duelit me Kosovën: Është një ndeshje shumë e madhe për ne
- 17/11/2026 11:32- Kosova kërkon vendin e dytë, Franco Foda tregon planin për ndeshjen ndaj Irlandës
- 17/11/2026 11:31- Asllani: Nuk mund të luajmë për barazim, duam fitoren ndaj Irlandës
- 17/11/2026 11:31- Lajm i mirë për Kosovën, Irlanda mbetet pa kapitenin Nathan Collins
- 17/11/2026 11:30- Larg më i mirë: Edon Zhegrova, më së shumti driblime të suksesshme në Ligën e Kombeve
- 17/11/2026 11:30- Kosova mbërrin në Irlandë para “finales” për vendin e dytë
- 17/11/2026 11:29- Parrott dhe Hallgrimsson për përballjen ndaj Kosovës: Kjo është ndeshja më e rëndësishme për ne
- 17/11/2026 11:28- Dardanët nisin përgatitjet për Irlandën - Foda kishte në dispozicion 13 futbollistë
- 17/11/2026 11:28- Nga Uellsi e Kroacia te Gjermania e Belgjika, kë mund ta ketë kundërshtar Kosova në play-off të Ligës së Kombeve?
- 17/11/2026 11:27- Dy mungesa për Kosovën para sfidës me Irlandën, Foda liron Zhegrovën dhe Hoxhën
- 17/11/2026 11:26- Çfarë i duhet Kosovës në përballje me Irlandën për ta ruajtur pozitën e dytë?
- 17/11/2026 11:25- Pas fitores së Austrisë ndaj Irlandës, ja si qëndron situata në grupin e Kosovës për Ligën e Kombeve
Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte (e martë) me Irlandën në Dublin me fillim nga ora 20:45, në kuadër të xhiros së fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
“Dardanëve” u mjafton vetëm një pikë për të siguruar pozitën e dytë në grup, e cila i dërgon në “play-off” për inkuadrim në Ligën A të Kombeve.
Kosova tashmë ka tri mungesa të konfirmuara për këtë sfidë: Veldin Hoxhën, Edon Zhegrovën dhe Enis Rexhepin.
Telegrafi do t’ju mbajë të informuar minutë pas minute për të gjitha zhvillimet rreth kësaj ndeshjeje.
17/11/2026 11:35- Formacioni i mundshëm i Kosovës ndaj Irlandës, Foda me shumë ndryshime

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar për ndeshjen ndaj Irlandës, me rikthimin e Arijanet Muricit në portë, debutimin e mundshëm të Bleon Kurtulusit dhe kalimin nga skema 3-4-3 në atë 3-5-2, mëson Telegrafi.
Kosova përballet sot (e martë) me Irlandën në Dublin, në ndeshjen e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, ndërsa Franco Foda pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar.
Ndryshimi i parë pritet të jetë në portë, ku Arijanet Muric rikthehet mes shtyllave, duke zënë vendin e Amir Saipit, i cili ishte titullar në barazimin pa gola ndaj Izraelit në Prishtinë.
17/11/2026 11:35- Kosova publikon listën për ndeshjen ndaj Irlandës, tri mungesa për Fodën

Kombëtarja e Kosovës sonte përballet me Republikën e Irlandës me fillim nga ora 20:45 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
UEFA ka publikuar listën zyrtare të futbollistëve të Kosovës për këtë përballje, ku përzgjedhësi Franco Foda do të ketë në dispozicion pjesën më të madhe të lojtarëve të grumbulluar për këtë cikël, pra 21 lojtarë.
Megjithatë, Dardanët do të kenë tri mungesa për këtë takim të rëndësishëm.
17/11/2026 11:34- 90 minuta larg objektivit, Kosova luan sonte për pozitën e dytë të grupit ndaj Irlandës

Kombëtarja e Kosovës zhvillon sonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, pasi përballet me Republikën e Irlandës me fillim nga ora 20:45 në kuadër të xhiros së fundit të Grupit B3.
Dardanët udhëtojnë drejt Dublinit me një objektiv të qartë: ta ruajnë pozitën e dytë në grup dhe ta sigurojnë pjesëmarrjen në plejofin për inkuadrim në Ligën A.
Skuadrës së përzgjedhësit Franco Foda i mjafton edhe një barazim për ta arritur këtë objektiv, pasi aktualisht ka gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda, që renditet në pozitën e tretë. Në rast të ndarjes së pikëve, Kosova do të mbetej para irlandezëve dhe do ta siguronte vendin e dytë, pavarësisht rezultateve të tjera.
17/11/2026 11:34- Kosova gati për Irlandën, “Dardanët” zhvillojnë stërvitjen e fundit në Dublin

Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar përgatitjet për ndeshjen vendimtare ndaj Republikës së Irlandës, e cila zhvillohet të martën në Dublin, nga ora 20:45.
Nën reshjet e shiut në kryeqytetin irlandez, futbollistët e përzgjedhësit Franco Foda kanë zhvilluar stërvitjen zyrtare në prag të përballjes së fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Atmosfera në kampin e “Dardanëve” duket pozitive, me përqendrim të plotë dhe motivim maksimal për ta mbyllur këtë edicion me një tjetër rezultat të mirë.
17/11/2026 11:33- Gjyqtar nga Letonia për ndeshjen Irlandë – Kosovë

UEFA ka përcaktuar ekipin e gjyqtarëve që do ta drejtojnë ndeshjen ndërmjet Irlandës dhe Kosovës.
Kryesor i kësaj përballjeje do të jetë Edgars Malcevs nga Letonia, i cili do të ndihmohet nga bashkëkombësit Martins Svipsts dhe Deniss Sevcenko.
Në rolin e gjyqtarit të katërt është caktuar Aleksandrs Anufrijevs, po ashtu nga Letonia.
17/11/2026 11:32- Portieri irlandez Kelleher para duelit me Kosovën: Është një ndeshje shumë e madhe për ne

Portieri i Kombëtares së Irlandës, Caoimhin Kelleher, ka paralajmëruar një ndeshje të vështirë ndaj Kosovës, duke theksuar se skuadra e tij synon të marrë rezultat pozitiv në përballjen e së martës në Dublin.
Në konferencën për media para ndeshjes, portieri irlandez e cilësoi përballjen me Kosovën si shumë të rëndësishme për përfaqësuesen e tij, e cila synon të sigurojë vendin e dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
“Është një ndeshje shumë e madhe për ne. Duhet të mësojmë nga ajo që ndodhi dhe të marrim gjërat pozitive. Shpresojmë të arrijmë një rezultat të madh nesër”, deklaroi Kelleher.
17/11/2026 11:32- Kosova kërkon vendin e dytë, Franco Foda tregon planin për ndeshjen ndaj Irlandës

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, pret një përballje të vështirë në udhëtim ndaj Irlandës, por ka bërë të qartë se synimi i “Dardanëve” është të zhvillojnë lojën e tyre dhe të kthehen me rezultatin e dëshiruar.
Pavarësisht se barazimi do t’i mjaftonte Kosovës për ta siguruar vendin e dytë në grup, trajneri gjerman synon fitore në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
“Nuk mund të thuash nëse është e lehtë apo e vështirë. Për ne është ndeshje e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Irlandës i duhet fitorja, ndërsa neve na konvenon edhe barazimi. Por në fushë ekipet hyjnë në fushë për fitore. Do të tentojmë nëpërmjet kundërsulmeve të fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda në konferencë për media.
17/11/2026 11:31- Asllani: Nuk mund të luajmë për barazim, duam fitoren ndaj Irlandës

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, në konferencën për media para ndeshjes me Irlandën, ka thënë se synimi i “Dardanëve” është fitorja, pavarësisht se edhe barazimi do t’ua siguronte vendin e dytë në grup.
Kosova luan ndaj Irlandës të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Aviva” në Dublin, ku të dy ekipet vijnë me mungesa.
Asllani deklaroi se pret përkrahje nga tifozët, ndërsa shtoi se ekipi luan mirë në ndeshjet si mysafir.
17/11/2026 11:31- Lajm i mirë për Kosovën, Irlanda mbetet pa kapitenin Nathan Collins

Kapiteni i Irlandës, Nathan Collins, është përjashtuar nga ndeshja kundër Kosovës, e cila zhvillohet të martën në kuadër të Ligës së Kombeve.
Lajmi është konfirmuar të hënën nga përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, i cili bëri të ditur se mbrojtësi është larguar nga grumbullimi dhe është kthyer te klubi i tij, Brentford, për t'iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore.
Collins kishte pësuar një dëmtim në gju në fund të ndeshjes ndaj Austrisë, të cilën Irlanda e humbi me rezultat 1-0 të shtunën në Linz. Pas asaj sfide, përzgjedhësi Hallgrimsson kishte paralajmëruar se futbollisti do t'i nënshtrohej kontrolleve mjekësore.
17/11/2026 11:30- Larg më i mirë: Edon Zhegrova, më së shumti driblime të suksesshme në Ligën e Kombeve

Sulmuesi Edon Zhegrova edhe me statistika ka dëshmuar se ka qenë kyç te Kombëtarja e Kosovës në këtë sezon të Ligës së Kombeve.
Në bazë të të dhënave në “Sofascore”, Zhegrova ka më së shumti driblime të suksesshme, plot 20 sosh.
Afër tij është vetëm talenti i RB Leipzigut, anësori Antonio Nusa me 15 dhe Jeremy Doku e Jude Bellingham me nga 14.
17/11/2026 11:30- Kosova mbërrin në Irlandë para “finales” për vendin e dytë

Kombëtarja e Kosovës ka mbërritur në Dublin, aty ku do ta zhvillojë ‘finalen’ për vendin e dytë në tabelë.
“Dardanët” kanë nevojë për së paku një barazim për ta siguruar matematikisht pozitën e dytë në grup, gjë që nevojitet edhe për të zënë një vend në vazon e dytë për kualifikueset e “Euro 2028”.
Pa Veldin Hoxhën dhe Edon Zhegrovën, që mungojnë shkaku i kartonit të kuq, respektivisht lëndimit, Kosova ka udhëtuar për në Irlandë.
17/11/2026 11:29- Parrott dhe Hallgrimsson për përballjen ndaj Kosovës: Kjo është ndeshja më e rëndësishme për ne

Kombëtarja e Irlandës ka kthyer përqendrim te përballja vendimtare me Kosovën, e cila zhvillohet të martën në Dublin, në kuadër të xhiros së fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.
Pas humbjes 1-0 nga Austria, irlandezët kanë mbetur të detyruar të fitojnë ndaj Dardanëve për ta kaluar Kosovën në renditje dhe për të siguruar një vend në play-offin për promovim në Ligën A, pasi ekipit tonë i konvenon edhe barazimi.
Sulmuesi kryesor i Irlandës, Troy Parrott, është shprehur optimist për mundësinë që skuadra e tij ta arrijë objektivin, pavarësisht disfatës në Linz.
17/11/2026 11:28- Dardanët nisin përgatitjet për Irlandën - Foda kishte në dispozicion 13 futbollistë

Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, ku të martën do të përballet me Irlandën në Dublin.
Dardanët vijnë në këtë sfidë pas barazimit të djeshëm ndaj Izraelit, ndërsa dueli me irlandezët do të jetë vendimtar për pozitën e dytë në grup.
Në stërvitjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 13 futbollistë. Ndërkohë, lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen ndaj Izraelit zhvilluan një seancë rigjeneruese në palestrën e hotelit.
17/11/2026 11:28- Nga Uellsi e Kroacia te Gjermania e Belgjika, kë mund ta ketë kundërshtar Kosova në play-off të Ligës së Kombeve?

Nëse Kosova arrin ta sigurojë pozitën e dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, atëherë në mars të vitit 2027 do të ketë mundësinë të luftojë për promovim në Ligën A përmes play-off-it.
Dardanët kanë 55.6 për qind gjasa për ta siguruar pjesëmarrjen në këtë fazë, sipas përllogaritjeve të publikuara, sipas Football Meets Data.
Megjithatë, fillimisht duhet ta përfundojnë grupin në pozitën e dytë, ndërsa më pas do të përballen me njërën prej skuadrave të Ligës A që do të luajnë për mbijetesë.
17/11/2026 11:27- Dy mungesa për Kosovën para sfidës me Irlandën, Foda liron Zhegrovën dhe Hoxhën

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka vendosur t’i lirojë nga grumbullimi dy futbollistët Edon Zhegrova dhe Veldin Hoxha, të cilët nuk do të jenë në dispozicion për ndeshjen e radhës ndaj Irlandës.
Zhegrova është liruar për shkak të një lëndimi, i cili e pamundëson të jetë i gatshëm për sfidën e ardhshme të Dardanëve.
Kështu, përzgjedhësi Foda nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e tij në këtë përballje të rëndësishme.
17/11/2026 11:26- Çfarë i duhet Kosovës në përballje me Irlandën për ta ruajtur pozitën e dytë?

Kosova është shumë pranë sigurimit të pozitës së dytë në Grupin 3 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Pas ndeshjeve të fundit, “Dardanët” kanë gjashtë pikë dhe renditen në vendin e dytë, një pikë më shumë se Republika e Irlandës, që ndodhet në pozitën e tretë. Izraeli është i fundit me tri pikë.
Ndërkohë, Austria e ka siguruar vendin e parë në grup dhe promovimin direkt në Ligën A për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Tashmë vëmendja e Kosovës është përqendruar te përballja e fundit me Irlandën, që zhvillohet të martën nga ora 20:45 në Dublin. Kjo ndeshje do të përcaktojë se cila prej dy ekipet do ta mbyllë garën në pozitën e dytë.
17/11/2026 11:25- Pas fitores së Austrisë ndaj Irlandës, ja si qëndron situata në grupin e Kosovës për Ligën e Kombeve

Fitorja e Austrisë ndaj Irlandës ka ndryshuar situatën në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, duke ia bërë edhe më të qartë Kosovës atë që i duhet në ndeshjen e fundit për ta siguruar pozitën e dytë.
Austria triumfoi me rezultat 1-0 ndaj irlandezëve dhe tashmë ka 11 pikë, duke e siguruar vendin e parë në grup. Kosova renditet e dyta me gjashtë pikë, ndërsa Irlanda mbetet në pesë pikë. Izraeli është i fundit me tri pikë.
Rrjedhimisht, Dardanët nuk e kanë më mundësinë për ta kapur Austrinë në krye, por vazhdojnë ta kenë në duart e tyre pozitën e dytë, e cila dërgon në ‘play-off’ për promovim në Ligën A.



























