Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) po shqyrton një nismë që do të kufizonte hyrjen në SHBA të modeleve të reja kineze të transmetuesve optikë, të cilët përdoren për përcjelljen e të dhënave në rrjetet e internetit dhe në qendrat e mëdha kompjuterike.
Masa është pjesë e strategjisë së Uashingtonit për të ulur varësinë nga teknologjia kineze, veçanërisht në infrastrukturën që mbështet inteligjencën artificiale dhe shërbimet digjitale.
Të lidhura
None found
Megjithatë, propozimi është kundërshtuar nga kompani të rëndësishme amerikane të teknologjisë, mes tyre Amazon, Google, Meta, Microsoft dhe Cisco. Sipas Reuters, ato i kanë bërë të ditur administratës amerikane se zëvendësimi i pajisjeve kineze mund të zgjasë deri në një dekadë.

Vështirësitë lidhen edhe me ndikimin e madh të Kinës në këtë sektor. Prodhuesit kinezë zotërojnë rreth dy të tretat e tregut botëror të transmetuesve optikë, ndërsa firmat amerikane nuk disponojnë aktualisht kapacitetin e nevojshëm për të zëvendësuar menjëherë furnizuesit nga Kina.
Kompanitë amerikane kanë paralajmëruar se Pekini mund të reagojë duke vendosur kufizime ndaj eksportit të fosfidit të indiumit, mineral që luan rol të rëndësishëm në prodhimin e këtyre pajisjeve.

Autoritetet e SHBA-së e justifikojnë nismën me shqetësimet për sigurinë kombëtare. Sipas tyre, përdorimi i teknologjisë kineze mund të ekspozojë sistemet ndaj vjedhjes së të dhënave, instalimit të programeve keqdashëse dhe ndërprerjes së shërbimeve.
Përplasja e fundit tregon se rivaliteti mes dy fuqive nuk po zhvillohet vetëm në fushën e çipave dhe inteligjencës artificiale, por edhe në infrastrukturën fizike që bën të mundur funksionimin e këtyre teknologjive.







