Sipas raportimit të BIRN-it, Radojçiq ishte i obliguar të paraqitej në polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit, në kuadër të masës së vendosur nga Gjykata e Lartë në Beograd.

Kjo gjykatë nuk ka mundur as ta konfirmojë dhe as ta mohojë për N1 nëse ai është paraqitur më 15 nëntor. Një ditë më parë, gjykata kishte deklaruar se po monitoron zbatimin e masës dhe se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, po ndërmerr veprimet e nevojshme për kontrollin e përmbushjes së këtij detyrimi.

Dyshimet se Radojçiq është larguar nga Serbia janë shtuar pas deklaratave të ish-inspektorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, i cili pretendoi se terroristi kishte shkuar në Moskë. Megjithatë, ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht.

N1 raporton se Radojçiq deri më tani ishte paraqitur rregullisht në polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit, për të dëshmuar se ndodhej në vendbanimin e tij. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë kishte konfirmuar për këtë medium se, sipas një njoftimi të stacionit të policisë Savski Venac të datës 4 nëntor, ai ishte paraqitur për herë të fundit më 1 nëntor.

Pasaporta e Radojçiqit ndodhet në posedim të Gjykatës së Lartë, e cila ia ka caktuar edhe detyrimin për paraqitje në polici. Ndërkaq, Ministria e Brendshme e Serbisë nuk iu është përgjigjur pyetjeve të N1 nëse ai është paraqitur më 15 nëntor, nëse është larguar nga vendi dhe, nëse po, me çfarë pasaporte.

Terroristi Radojçiq akuzohet në Serbi për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.