Alarmi për Zhegrovën zgjat pak, në Itali raportojnë se nuk bëhet fjalë për lëndim serioz

Edon Zhegrova mund të rikthehet shumë shpejt në fushën e gjelbër, pasi raportimet e fundit nga Italia kanë sjellë lajme pozitive për gjendjen e tij fizike.
Sulmuesi i Kosovës u detyrua të largohej nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të një lëndimi, duke humbur kështu ndeshjen e rëndësishme ndaj Irlandës.
Megjithatë, sipas raportimit të mediumit italian Gazzetta dello Sport, gjendja e futbollistit të Juventusit nuk është shqetësuese dhe nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz.
Zhegrova pritet të rikthehet në stërvitje që të mërkurën, fillimisht duke punuar i ndarë nga pjesa tjetër e skuadrës. Më pas, në varësi të gjendjes së tij fizike, ai mund t'u bashkohet plotësisht bashkëlojtarëve.
Futbollisti kosovar do t'u nënshtrohet edhe ekzaminimeve mjekësore për të vlerësuar më saktë gjendjen e tij, por në Itali mbizotëron optimizmi për rikuperimin e shpejtë.
Madje, nuk përjashtohet mundësia që Zhegrova të jetë në dispozicion të Juventusit për ndeshjen e radhës ndaj Venezias./Telegrafi/













































