Komuna e Prizrenit paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike më 23 dhe 24 nëntor

Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit do të zhvillojë më 23 dhe 24 nëntor 2026 një aksion për lirimin e hapësirave publike nga pengesat dhe vendosjet pa leje.
Përmes një njoftimi, kjo drejtori u ka bërë thirrje pronarëve të lokaleve afariste, shitësve ambulantë dhe personave fizikë e juridikë që t’i largojnë vetë mallrat dhe objektet e vendosura pa autorizim në hapësirat publike.
Aksioni do të përfshijë largimin e mallrave të ekspozuara para lokaleve afariste, në rrugë dhe trotuare, pa leje përkatëse, si dhe të pengesave të ndryshme, përfshirë shufra metalike, vazo betoni, goma, kona plastike dhe objekte të tjera të vendosura pa autorizim.
Komuna ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtij njoftimi do të rezultojë me masa ndëshkuese, përfshirë gjoba administrative dhe konfiskimin e mallrave dhe objekteve të përkohshme.
Sipas njoftimit, shpenzimet e konfiskimit do të barten nga pronarët përkatës.
Ky aksion synon lirimin e hapësirave publike, krijimin e qasjes së lirë dhe të sigurt për këmbësorët, si dhe përmirësimin e rendit në hapësirat e përbashkëta të qytetit.
"Hapësirat publike janë të të gjithë qytetarëve. Respektimi i tyre është përgjegjësi e përbashkët!”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/






































