PDK-ja "pishmanli" për ligjin për Specialen, Haziri ende s'jep shenja për protestë
Pavarësisht ndryshimit të qëndrimit të Partisë Demokratike të Kosovës për Ligjin për Dhomat e Specializuara, drejtuesi i iniciativës qytetare “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, nuk ka paralajmëruar protesta lidhur me këtë zhvillim.
PDK-ja fillimisht kërkoi nga presidentja Justina Shiroka-Pula që ligji të kthehej në Kuvend për rishqyrtim, me qëllim të ndryshimit të disa dispozitave. Megjithatë, më pas kjo parti propozoi që fillimisht të votohej versioni i njëjtë i ligjit, ndërsa ndryshimet të bëheshin përmes një nisme të re ligjore brenda dy javësh.
Në anën tjetër, Haziri, pas një aksioni simbolik dhe konference për media para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se pret që ligji të votohet dhe të procedohet në Kuvend. Ai theksoi se iniciativa do ta mbrojë atë, por nuk e përjashtoi mundësinë e ndryshimeve nëse vlerësohen të nevojshme.
“Jo, dihet, dihet që do të votohet Ligji për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen e saj do të votohet. Po, kemi garancë nga zëri i qytetarëve, edhe këtë ligj e kemi fituar, edhe këtë ligj, nëse është e nevojshme, do ta mbrojmë. Po, nëse vlerësojnë që nuk duhet të ndryshohet, ne kemi thënë, po përsëriten prapë, nëse vlerësohet që duhet të ndryshohet diçka, shpresojmë që ta ndryshojmë. Nëse duhet të mos ndryshohet, atëherë ligji të votohet e të procedohet”, citohet të ketë thënë Haziri, sipas Ekonomia Online.
Haziri nuk paralajmëroi protestë për shkak të qëndrimit të PDK-së apo kthimit të ligjit në Kuvend. Ai, megjithatë, tha se do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë nëse vazhdon heshtja e institucioneve të Kosovës dhe atyre evropiane lidhur me shqetësimet e tyre
“Këtë e ruajmë, e do ta shfrytëzojmë çdo herë që do të ketë nevojë për to, edhe besoj që nëse vazhdohet me këtë heshtje, gjithashtu institucionale, po edhe këtë heshtje të institucioneve evropiane, pra ne nuk do t’i lejojmë edhe nuk do të mundemi të qëndrojmë të heshtur, do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë për protestë”, tha ai.
Ndërkaq, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte miratuar në Kuvend më 6 tetor, por presidentja Shiroka-Pula e kishte kthyer për rishqyrtim më 22 tetor, pas kërkesës së PDK-së. Për ta miratuar sërish ligjin pas kthimit nga presidentja, Kuvendit i nevojiten 61 vota.















