Brajan Grudës i kanë mjaftuar katër ditë për të “pushtuar” Gjermaninë. Talenti me origjinë shqiptare, debutoi me gol përballë Serbisë duke qenë zëvendësues dhe fitoi fanellën e titullarit ndaj Holandës.

Aty ai ishte i papërmbajtshëm me një gol, dy asiste e shumë aksione të rrezikshme, duke venë në lëvizje të gjithë repartin e sulmit gjerman në fitoren 5-0. Pas ndeshjes, elozhet për të nuk kishin fund, ndërsa në mediat gjermane ai që tani cilësohet ndër të paprekshmit e Klop. Pikërisht e përditshmja “Bild” i kushtonte një artikull me titullin “Djemtë e Klop”, ku fliste për lojtarë e rinj që shkëlqyen në këto ndeshje dhe ku padyshim kishte vend edhe për djaloshin me origjinë nga Shkodra.

“Për shumë tifozë, Brajan Gruda është pothuajse i padallueshëm nga Virtz në fushë, duke pasur parasysh stilet e ngjashme të lojës, një temë që nxiti shumë diskutime në rrjetet sociale pas ndeshjes. Pas një debutimi ëndrrash, ku shënoi edhe kundër Serbisë, lojtari me numrin 10 të Gjermanisë bëri një paraqitje edhe më të mirë kundër Holandës, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asiste. Ylli i RB Lajpcig, një driblues i shkëlqyer, është kënaqësi ta shohësh sa herë që e ka topin në zotërim. Pasimi i tij me pjesën e jashtme të këpucës, në aksionin që çoi te goli i Virtz për rezultatin 4–0, ishte thjesht i jashtëzakonshëm!

Kur u thirr në ekip, Klop e përshkroi atë si një “lojtar fantastik” me stilin e lirshëm të një futbollisti rruge. Një nga detajet dalluese të pamjes së tij janë çorapet e ulura poshtë. Gruda zotëron si nënshtetësinë gjermane, ashtu edhe atë shqiptare, dhe vjen nga një familje me traditë në futboll.

Babai i tij, Bujar Gruda (63 vjeç), ka qenë gjithashtu futbollist profesionist dhe dikur ka luajtur për klubin shqiptar KF Vllaznia në ish-Kupën UEFA. Familja e Grudës është gjithmonë pranë tij; prindërit e tij, Bujari dhe Manjola, ndjekin pothuajse çdo ndeshje. Ylli i kombëtares gjermane është në një lidhje prej kohësh, ndonëse e mban jetën e tij private larg syrit të publikut”, ishte përshkrimi që “Bild” i bëri futbollistit.

Ndërsa vetë Klop pas ndeshjes, ia dha meritën gjithë grupit, por pa harruar të përmendte edhe Grudën në fjalët e tij.

“U deshën disa rregullime të vogla ndaj Holandës, por më pas, shfaqëm një lojë të jashtëzakonshme. Derri Sherhant dhe Brajan Gruda, o perëndi sa mirë dinë të luajnë këta të dy! Ky është një grup vërtet special. Duhet ta bëjmë këtë të dukshme dhe ta ruajmë si të tillë. Nuk mund ta ndryshojmë botën, por mund të shfaqim një fytyrë miqësore”, tha ai pas ndeshjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb