Shkollat, aeroportet dhe institucione të tjera në Europë janë përballur gjatë muajit të fundit me një fushatë të gjerë kërcënimesh të rreme me bombë. Mes tyre pati evakuime në mijëra shkolla, vonesa e ndërprerje fluturimesh, ndërprerje transmetimesh televizive dhe alarm në sektorin publik e privat.
Nga një vlerësim i “Reuters”, i mbështetur te deklaratat e zyrtarëve europianë, raportimet e mediave dhe të dhënat e kompanive të sigurisë kibernetike, rezulton se në kontinent janë dërguar mbi 8 mijë kërcënime të këtij lloji.
Të lidhura
None found
Shumica e rasteve prekën shkolla në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Itali. Në shënjestër u vunë gjithashtu organizata bamirësie, kompani ajrore, aeroporte, media dhe individë.
Mesazhet e para u shfaqën më 19 tetor, kur shkolla fillore “St John the Baptist” në Belfast mori një e-mail ku thuhej se në ndërtesë ishte vendosur një bombë. Drejtori Chris Donnelly i tha “Reuters” se në fillim nuk e konsideroi mesazhin të besueshëm, pasi ishte i përgjithshëm dhe u ishte dërguar edhe shumë shkollave të tjera.
Megjithatë, stafi nuk i nxori nxënësit jashtë. Përkundrazi, ata qëndruan brenda ndërsa ambientet u kontrolluan njëra pas tjetrës, dhomë më dhomë. Policia e Irlandës së Veriut njoftoi më pas se të njëjtin mesazh e kishin marrë rreth 300 shkolla dhe e cilësoi si kërcënim të rremë.
“Edhe kur një kërcënim duket i rremë, reagimi në fillim duhet të jetë jashtëzakonisht serioz”, tha Donnelly.
Pas një periudhe qetësie relative, alarmet rifilluan në ditët e para të nëntorit dhe këtë herë përfshinë edhe udhëtimet ajrore. Më 2 nëntor, një avion i Wizz Air nga Londra për në Sofje u devijua drejt Budapestit pas një kërcënimi për bombë të marrë nga kompania.
Më 3 nëntor, shënjestra u bënë shtatë fluturime të tjera dhe një anije turistike pranë brigjeve të Greqisë. Më 5 nëntor, një valë tjetër kërcënimesh solli çrregullime në trafikun ajror në disa shtete europiane.
AirNav Radar, specialist në gjurmimin e fluturimeve, raportoi se gjatë periudhës 2–6 nëntor u morën kërcënime të rreme për bomba nga mbi 50 fluturime, që u përkisnin rreth 15 kompanive ajrore.
Mesazhet e nëntorit ndryshonin nga ato të tetorit, të cilat përmbanin referenca ndaj ligjit të Sheriatit. Kërcënimet e reja u dërguan në emër të “Male State”, një grup rus pak i njohur kundër feminizmit. Themeluesi i organizatës mohoi se kishte lidhje me to.
Në mesazhe bëheshin paralajmërime të përgjithshme për bomba dhe gjakderdhje. Një prej tyre përmbante fjalët: “Sot qielli juaj do të jetë i kuq”.
Më 6 nëntor, kërcënimet u drejtuan edhe ndaj redaksive të mediave, mes tyre televizioni francez TF1, televizioni bullgar Nova dhe transmetuesi publik irlandez RTÉ. Në RTÉ, disa programe u ndërprenë përkohësisht dhe punonjësit u larguan nga ndërtesa.
Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Proofpoint, gjatë kësaj periudhe u shënjestruan të paktën 12 organizata mediatike.
Një tjetër fushatë e madhe u zhvillua më 11 nëntor, kur kërcënime për bomba iu dërguan rreth 6,300 shkollave në Itali. Mesazhet u paraqitën si të dërguara nga “Misoginistan”, grup që duket se ka lidhje me emrin “Male State”. Kërcënimet çuan në evakuime shkollash në disa pjesë të vendit.
Autoritetet thanë se po atë ditë mesazhe të ngjashme morën rreth 1,000 shkolla në Skoci dhe 300 në Irlandën e Veriut. Sipas mediave irlandeze, edhe rreth 300 shkolla të tjera u vunë në shënjestër.
Disa prej institucioneve të prekura më 11 nëntor kishin marrë kërcënime edhe gjatë valës së tetorit. “Reuters” nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur nëse të gjitha mesazhet kanë të njëjtin autor. Sidoqoftë, ngjashmëritë në përmbajtje dhe në mënyrën e shpërndarjes kanë nxitur dyshime për një burim të përbashkët.
Kompania Mimecast vuri në dukje se në nëntor u shënjestruan pothuajse të njëjtat shkolla në Skoci si në tetor, çka mund të tregojë se është përdorur e njëjta listë institucionesh. Policia skoceze tha se nuk mund të përjashtojë lidhjen mes incidenteve dhe se hetimet vazhdojnë.
Edhe zyrtarë të lartë europianë kanë ngritur mundësinë e ndërhyrjes nga jashtë. Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, i tha televizionit LCI se kjo mundësi është e qartë.
“Ne shohim një mundësi për ndërhyrje të huaj, shumë qartë”, deklaroi Nunez, duke përmendur Rusinë ose vende të tjera si burime të mundshme. Sipas tij, Europol po punon për të përcaktuar se nga kanë ardhur kërcënimet.
Zyrtarët ukrainas, ndërkohë, kanë lidhur raste të mëparshme të kërcënimeve të rreme me bomba me hakerë të dyshuar mercenarë rusë, të njohur si grupi DaVinci. Kompania franceze e sigurisë kibernetike Intrinsec kishte raportuar se ky grup u kishte dërguar kërcënime të ngjashme disa institucioneve qeveritare perëndimore gjatë vitit 2024.
Deri tani, megjithatë, nuk është vërtetuar ndonjë lidhje mes DaVinci-t dhe fushatës së tanishme. Autoritetet europiane po i marrin seriozisht të gjitha njoftimet, pavarësisht dyshimeve për natyrën e tyre, për shkak të rrezikut që mund t’i kanoset jetës së njerëzve dhe sigurisë publike.
Donnelly e përmblodhi dilemën me këtë pyetje: “Po sikur të mos ishte thjesht një kërcënim i pamatur dhe i papërgjegjshëm, por diçka e vërtetë?”








