Eliminimi nga Nations League nuk e ka ndryshuar bindjen e Roberto Mancinit se Italia është në rrugën e duhur. Trajneri italian ka zgjedhur të dërgojë një mesazh motivues për skuadrën, duke kërkuar që lojtarët të mos humbasin besimin, pavarësisht zhgënjimit të fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mancini ka vlerësuar përpjekjet e futbollistëve dhe veçanërisht të rinjve, duke u përpjekur të mbajë lart moralin e grupit pas hapit të gabuar ndaj Belgjikës.
“Përpara, djema! Pavarësisht zhgënjimit për eliminimin, jemi në rrugën e duhur. Përgëzime të rinjve”, shkruan Mancini në mesazhin e tij.
Ky qëndrim nuk është i ri për trajnerin, i cili kishte zgjedhur të mbështeste skuadrën edhe pas humbjes së parë në “Olimpico” kundër belgëve. Për Mancinin, pavarësisht rezultateve zhgënjyese, në këtë ekip ka nisur të ndërtohet diçka dhe procesi kërkon kohë.
Rruga përpara nuk do të jetë e lehtë, por tekniku italian është optimist për të ardhmen. Mesazhin e tij e mbyll me një premtim për tifozët: “Në mars do të jemi më të fortë”.
Tashmë vëmendja e Italisë zhvendoset te eliminatoret e Kampionatit Evropian, të cilat nisin pas katër muajsh.
