Euro arrin rekord të ri poshtë 90.5 lekëve

Kursi i këmbimit Euro-Lek ka zbritur në një minimum të ri historik ditën e sotme.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye me 90.48 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi i këmbimit Euro-Lek paraqitet në rënie vjetore me 6.4%, rënia më e fortë e regjistruar në tre vitet e fundit.
Agjentët e këmbimit valutor shprehen se tregu valutor edhe gjatë vjeshtës karakterizohet nga flukse të qëndrueshme hyrëse të valutës, ndërsa kërkesa në përgjithësi është e vakët, me momente të shkurtra rritjeje të përkohshme, zakonisht në fundin e muajit kalendarik.
Një situatë e tillë vazhdon të ushtrojë presione të vazhdueshme rënëse mbi kursi e Euros.
Të dhënat statistikore nuk mundësojnë identifikimin e burimeve të prurjeve valutore në kohë reale ose mënyrën se si rritja e ofertës valutore lidhet me ecurinë e Bilancit të Pagesave.
Sidoqoftë, agjentët mendojnë se, ndër burimet formale dhe të identifikueshme të valutës turizmi dhe investimet në pasuri të paluajtshme ngelen kryesorët, ndërsa në treg ekziston gjithmonë edhe perceptimi i një roli të konsiderueshëm të flukseve valutore informale.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat.
Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin e shërbimeve erdhi nga turizmi, që në 6-mujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 957 milionë eurove, në rritje me 20% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2026 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu, një efekt shtesë duket se po ushtron edhe suficiti i bollshëm fiskal, që po ul ofertën e Lekut në treg. Për 9-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 70.2 miliardë lekëve, në rritje me 54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










