“Ne e bëmë, ne e zhbëjmë”, Syla me kritika për Specialen: Atentat mbi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës
I pyetur nëse procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po merr tipare të një procesi absurd, të ngjashëm me atë që Franz Kafka përshkruan në romanin “Procesi”, ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla, ka thënë se sistemi burokratik i Gjykatës Speciale është edhe më i ndërlikuar se ai i përshkruar në veprën e shkrimtarit çek.
Në një bisedë me Dukagjinin, Syla ka thënë se procesi në Hagë shfaq tipare të një sistemi burokratik ku, sipas tij, vetë ekzistenca e individit brenda sistemit e vendos atë në pozitën e të akuzuarit, pa pasur nevojë për prova.
"Kryeparadoksi i romanit 'Procesi' të Franz Kafkës shpaloset në disa dimensione kyçe: Që në fjalinë e parë të romanit, Jozef K. është i pafajshëm ("Dikush duhej të kishte shpifur për Jozef K.-në, sepse, pa bërë asnjë të keqe, ai u arrestua një mëngjes").
Megjithatë, paradoksi thellohet kur ai nuk proteston si një qytetar i lirë që kërkon të drejtën, por nis menjëherë një kërkim obsesiv për të kuptuar pse po akuzohet, duke pranuar nën vetëdije se një akuzë ekziston, pra se ai duhet të ketë bërë diçka. Për romanin 'Procesin' gjykimi nuk ka nevojë për provë; vetë ekzistenca e njeriut brenda sistemit burokratik e bën atë automatikisht të fajshëm", ka thënë Syla.
Duke iu referuar personazhit kryesor të romanit të Kafkës, Jozef K., Syla ka bërë një paralele me rastin e Sami Lushtakut.
“Në këtë frymë fajësie, z. Sami Lushtaku ka mbajtur burg për njeriun të cilit kurrë nuk iu bë i njohur as emri as mbiemri. Sistemi burokratik i Gjykatës Speciale (faktiv) është më i ndërlikuar se ai imagjinativ (fiktiv).
Kjo gjykatë (Gjykata Speciale) ka dalë jashtë orbitës së Kosovës, dënon në emër të Kosovës, e në fakt është institucion surrogat anti Kosovë. Më shumë se me Kafkën ky proces shpjegohet me fabulën e Ezopit, sipas së cilës Qengji ia turbullon ujin Ujkut edhe kur pi në anën e poshtme”, ka shtuar Syla.
Më tutje, Syla ka kërkuar që të gjitha institucionet vendimmarrëse të Kosovës, përfshirë Kryeministrinë, Ministrinë e Jashtme, Presidencën dhe Kuvendin, të angazhohen në rrafshin diplomatik për të kundërshtuar kualifikimin e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, mbi bazën e të cilit, sipas tij, u dënuan katër personalitetet e UÇK-së më 16 shtator.
“Të gjitha institucionet e Kosovës, vendimmarrëse, Kryeministria, Ministria e Jashtme, por edhe Presidenca e Kuvendi duhet të vihen në lëvizje në rrafshin diplomatik sqarues dhe ta demolojnë përfundimisht kualifikimin vrastar "Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale", me të cilin u dënuan katër personalitetet e UÇK-së më 16 shtator. Vetëm zëri institucional ka fuqi dhe kredibilitet për ta ndërruar kualifikimin dhe dënimin e shkallës së parë në Apel. Protestat janë solidaritet moral. Duhet të flas shteti. Krerët e UÇK-së nuk guxojnë të lihen në mëshirë të drejtësisë së Hagës. U pa edhe sot me gjoja tentimin për pengimin e drejtësisë”, ka theksuar Syla.
Ai ka thënë se institucionet ndërkombëtare që kanë mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale nuk do ta zhbëjnë atë, duke kërkuar që këtë ta bëjë Kuvendi i Kosovës.
“Ata që imponuan krijimin e Gjykatës Speciale, nuk e zhbëjnë atë. Natyrisht që BE-ja i mbron verdiktin dënues. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit e mbrojti. Këtë gjykatë mund ta rrënojë vetëm vendosmëria e Kuvendit të Kosovës me veprim radikal.
Ne e bëmë, ne zhbëjmë, sepse ajo ka dalë jashtë qëllimit për të cilin u krijua. Duhet guxim, vendosmëri e hekurt. Qysh qe e fortë këmbëngulja ndërkombëtare për t'u bërë, duhet të jetë edhe më i fortë vendimi për ta zhbërë. Vendimet e kësaj gjykate janë atentat mbi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar Syla për Dukagjinin.
Kujtojmë se, deri më tani, Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar disa ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe ish-zyrtarë të saj në procese të ndara.
Për krime lufte, Salih Mustafa është dënuar me 15 vjet burgim, Pjetër Shala me 13 vjet, ndërsa në aktgjykimin e 16 shtatorit 2026, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Në rastet për pengim të administrimit të drejtësisë, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e tre muaj burgim, dënime që i kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2024. Haxhi Shala u dënua me tre vjet, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet burgim. Në një proces tjetër të kësaj natyre, më 17 nëntor 2026, Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht; Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.















