Eksperti rrugor, Gëzim Hoxha ishte i ftuar këtë të martë në ‘Sot Live në Shqipëri’ ku foli në lidhje me rrezikun e qarkullimit të mjeteve të rënda në akset rrugore.

Duke lidhur me aksidentin që i mori jetën shefit të krimeve në Vlorë mbrëmë, Hoxha tha se mjetet që punojnë në kantiere janë të rrezikshme për shkak për shkak të shpejtësisë së vogël që kanë, prandaj edhe duhet të jenë të shoqëruara me automjete.

“Po kjo është mungesë e theksuar e kulturës tonë se të gjitha mjetet që punojnë nëpër kantiere janë me ngjyrë të verdhë që do të thotë është shenjë e kujdesit për të gjithë dhe ato duhet të kenë të pajisur veç kësaj duhet të kenë dhe një dritë sipër lart ngjyrë portokalli që flershon. E dyta ato kur punojnë në kantier dhe kur dal po dolën në rrugë ato nuk lejohet të dalin ashtu por duhet të jenë të shoqëruara me ato mjete të tjera para dhe mbrapa sepse janë të rrezikshme për shkak të shpejtësisë së vogël që kanë. Nuk janë mjete që dalin në autostrada sepse në autostradë është shpejtësia 130 km/h mbas ligjit. Ne kemi dhe një të metë tjetër në kulturën tonë që ne shpeshherë na mungojnë stopat mbrapa, na mungojnë sinjalet e duhura, na mungojnë këto dhe drejtuesi i automobilit që vjen nga mbrapa nuk na shikon”, tha Gëzim Hoxha.

Eksperti theksoi se këtu nuk është përgjegjës policia, por vetëautokontrolli nga drejtuesit e mjetit.

“Këtu nuk ka punë policie. Këtu ka punë vetë autokontrolli. Pra, secili nga ne do të bëhet i ndërgjegjshëm që mos u bëjë dëm të tjerëve. Nuk është normale të dalësh në rrugë pa sinjale, pa stop, pa gjëra që janë këto janë minimale të domosdoshme të automobilit”, tha Hoxha.

Ai shtoi se mjete të tilla nuk duhet të futen në autostradë.

"Po ky nuk duhet të dali, nuk duhet të futet në autostradë. Ky lloj mjeti duhet të jetë i ngarkuar në një mjet tjetër. Janë rimarketorët e mëdhenj që transportojnë edhe pse është me goma. Nuk ka rëndësi pse është me goma. Ai nuk plotëson kriteret e tjera. Duke mos ecur dot ngadalëson gjithë shpejtësinë. Pra të jenë 200 makina mbrapa nga një minutë bëjnë 200 minuta”, shtoi ai.

Hoxha tha se pronarët duhet të jenë të kujdesshëm kur lëvizin mjetet e tyre nga një distancë në një distancë tjetër.

“Pronarët do të jenë të kujdesshëm kur i lëvizin mjetet e tyre nga një distancë në një distancë tjetër. Në të gjitha rastet janë pronarët e rrugës ata që duhet të kenë kujdesin e duhur që mos t'i fusin mjetet në kundërshtim me ligjet”, tha ai.