Ilir Shehu alias Pasholli erdhi nga Italia, ku ishte dënuar për trafik droge, vjedhje, pengmarrje dhe shfrytëzim prostitucioni, dhe ngriti një perandori kompanish farmaceutike në kryeqytet me para të paligjshme. Një hetim i prokurorisë së Tiranës ka arritur në konkluzionin se 4 kompani farmaceutike, ‘Medicamenta’, ‘Mega Store’, ‘Unipharma’ dhe ‘Italialbania Pharma’ dhe pasuri të tjera, dyshohet se Shehu i krijoi pikërisht me fitimet e aktivitetit të paligjshëm. Të katërta këto biznese, ndër më fitimprurëset në tregun e ilaçeve në vend janë sekuestruar me vendim të gjykatës së Tiranës, pas kërkesës së prokurores Suela Salavaçi. Bashkë me kompanitë farmaceutike janë sekuestruar edhe 8 prona të paluajtshme në emër të Ilir Shehut, 8 makina dhe prona të regjistruara si pronësi e bizneseve si dhe 6 prona të paluajtshme në emër të Hajrie Shehut, bashkëshortes së Ilir Shehut.
Hetimi ndaj Shehut nisi pas një ankesë të bërë ndaj tij nga dy qytetarë, ndërsa më pas u zbulua se përveç dënimit dhe aktivitetit kriminal të konfirmuar me vendime gjykatash, ai ishte zbuluar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë.
Prokuroria e Tiranës njofton se Ilir Shehu alias Pasholli kryente blerje të ilaçeve në Itali me faturë zyrtare, ku regjistronte mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë. Pasi e kalonte në mënyrë të rregullt në doganën Italiane, në pjesën shqiptare niste manipulimi. Ruhej vlera dhe pesha por shkurtohej lista e artikujve, duke deklaruar vetëm 4 ose 5 produkte, ndërsa pjesa tjetër futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt. Një pjesë e këtyre barnave, legalizohen nëpërmjet një operatori tjetër, me qëllim të fshihen gjurmët e origjinës së kontrabandës. Për këtë çështje hetimet vijojnë.
Prokuroria thotë se Shehu ka krijuar pasuri të mëdha mbi aktivitetin e tij kriminal edhe për shkak të një mos kontrolli të institucioneve. Ai zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të krijuar me kapital pas dënimit për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Për më tepër, aksioneri italian i njërës prej kompanive, Medicamenta, është një shtetas italian nën akuzë për korrupsion në vendin e tij. Pavarësisht këtyre fakteve, kompanitë e Shehut kanë operuar lirisht në tregun shqiptar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli serioz pasuror ose ligjor, edhe pse ligji antimafia parashikon sekuestrim të pasurive për individë të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
ORTAKËRIA ME ARTAN GAÇIN
Në bisnese dhe në kompanitë e sekuestruara Ilir Shehu me mbiemër të ndërruar, ka ortak dhe bashkëpunëtor ish deputetin dhe bashkeshortin e deputetes aktuale Olta Xhaçka, z. Artan Gaçi.
Artan Gaçi i cili është edhe një investitor strategjik me firmë dhe vulë të Edi Ramës, është ortaku që ka hedhur në arkën e kompanisë që zotëron me Ilir Shehun plot 3 milionë euro pa asnjë origjinë, se nga vinin. Thjesht e dinin ku po shkonin. Nga 3 milionë euro cash futën në kompani dhe për këtë nuk u pagua as dividend dhe as taksat. Madje as agjencive të inteligjencës financiare as që i ra në sy lëvizjet financiare që po ndodhnin CASH në kompaninë e Ilir Shehut dhe Artan Gaçit.
Grup i strukturuar kriminal?
Referuar njoftimit zyrtar të prokurorisë përveç pasurive të Ilir Shehut me dy mbiemra, janë sekuestruar edhe pasurite e bashkëshortes së tij. Në listën e mësipërme, znj Hajrie Shehu është bashkëshortja e Ilir Shehut me dy mbiemra. Ndërkohë që është sekuestruar edhe kompania që ka bashkëortak strategjikun Artan Gaçi e njëjta kompani ku u “futën në lojë” plot 6 milionë euro. 3 milionë prej secilit ortak. Në këto kushte a mos kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, i cili në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë krimesh sa “intelektuale” aq edhe të rëndomta. A do ta hetojë SPAK organizatën kriminale të Ilir Shehut me dy mbiemra dhe të Artan Gaçit apo çështja do të katandiset si “kaposhi në një thelë” në manovrat e prokurorisë së rrethit Tiranë?
Redaksia e priza.al disponon të dhëna të mjaftueshme rreth këtij rrethi dhe grupi kriminal, dhe ishim të parët që para rreth 10 ditësh paralajmëruam atë që ndodhi sot.
Ne do të vijojmë publikimin e çdo qindarke të paligjshme që strategjiku Artan Gaçi ka futur në në treg nëpërmjet një rrjeti kompanish të cilat janë shtrirë si okpapod në sektorë nga ndërtimi e deri tek ilaccet. Por problemi nuk është të bërit bisnes. Problemi është të bërit bisnes me lekë krimi dhe droge, të kontrabandosh ilacce dhe të pastrosh para. Dhe këtë, dyshja Ilir Shehu-Artan Gacci e kanë kryer me “kapacitet” të plotë.
