Reforma zgjedhore/ Gjiknuri kundërshton propozimin e PD-së: Nuk është dëgjuar ndonjëherë të privohet një nëpunës shteti nga e drejta politike
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore është mbledhur këtë të martë, ku në tryezën e diskutimeve është e pranishme edhe Partia Demokratike.
Bashkëkryetari i komisionit nga radhët e PD-së, Oerd Bylykbashi, ka prezantuar propozimet e opozitës për ndryshimet në sistemin zgjedhor. Ndër kërkesat kryesore të demokratëve janë listat 100% të hapura, rikthimi i koalicioneve parazgjedhore dhe ndarja e shtetit nga partitë politike.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga Partia Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi se propozimet e opozitës do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ekspertët e komisionit, për të vlerësuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën.
Gjiknuri pranoi se sistemi zgjedhor ka nevojë për përmirësime, por kundërshtoi pretendimet e opozitës se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë demokratike.
Ai u ndal veçanërisht te propozimi për kufizimin e të drejtave politike të punonjësve të administratës publike, duke e cilësuar një masë të tillë si jo normale për një shoqëri demokratike.
“Gjithmonë kërkoj dhe nuk gjej ndonjë vend që të ndalojë të drejtat politike të qytetarëve të tij. Pse? Sepse punon për shtetin. Dakord, janë disa profesione që kufizohen, ushtaraku, gjykatësi, polici, zyrtarët e shërbimit shtetëror, por që një nëpunës shteti të privohet nga e drejta politike, kjo nuk është dëgjuar ndonjëherë. Pra, të privosh të drejtën politike të 130 mijë zyrtarëve të shtetit.
Të bësh ndalime absolute… Unë e kam thënë se të thashë liqenin për të kapur peshkun, kjo më duket qasje jo normale në një shoqëri demokratike. Nuk mund të bëni gjykatësin e standardeve zgjedhore. Patjetër që zgjedhjet kanë kritikat e tyre, por ju thoni se vetë BE ngre gishtin, por në të vërtetë BE ka kërkuar që Shqipëria të rregullojë disa gjëra, por nuk ka thënë as BE dhe as ODIHR që zgjedhjet janë antidemokratike. Ju paraqitët konceptin politik, ne do t’i autorizojmë ekspertët e komisionit që, menjëherë sapo të vijnë propozimet, të shohin se sa janë në përputhje me Kushtetutën. Njëkohësisht, aty do të fillojnë negociatat politike”, tha ai.
/vizionplus.tv




