Wizz Air, një nga linjat ajrore më të mëdha me kosto të ulët në Europë, shënon një moment të rëndësishëm në historinë e saj, teksa numri i punonjësve ka tejkaluar shifrën 10,000. Ky zhvillim pasqyron rritjen e vazhdueshme të kompanisë, si dhe përmasat e ekipit ndërkombëtar që mbështet veprimtarinë e saj.
10,000 punonjësit e Wizz Air i përkasin mbi 100 kombësive të ndryshme dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në 50 vende, në Evropë dhe më gjerë, duke e renditur kompaninë ndër linjat ajrore me fuqinë punëtore më shumëkombëshe në sektorin europian të aviacionit. Nga kabinat e pilotimit dhe të pasagjerëve tek aeroportet, qendrat e kontrollit operacional, qendrat e trajnimit dhe zyrat administrative, ata bashkëpunojnë si një ekip i vetëm, të bashkuar nga angazhimi i përbashkët për sigurinë, përsosmërinë operacionale dhe ofrimin e një shërbimi cilësor ndaj pasagjerëve.
Kjo arritje po festohet nën moton “10,000 punonjës, një ekip i bashkuar”, e cila vlerëson si talentet dhe aftësitë individuale të punonjësve të Wizz Air, ashtu edhe forcën e përbashkët të një ekipi që bashkëpunon përtej kufijve, kulturave dhe fushave të ndryshme të veprimtarisë.
Edhe pse gjatë udhëtimit të tyre pasagjerët mund të kenë kontakt vetëm me një numër të vogël punonjësish të Wizz Air, pas çdo fluturimi qëndron një rrjet shumë më i gjerë profesionistësh, të cilët punojnë pa ndërprerje, 24 orë në ditë. Nga planifikimi i rrjetit të destinacioneve dhe organizimi i orareve të ekuipazheve, te operacionet e fluturimit, shërbimi ndaj klientit, zhvillimi digjital dhe përvoja në bord, secili prej 10,000 punonjësve të Wizz Air kontribuon në afrimin e njerëzve dhe lidhjen e destinacioneve, duke e bërë udhëtimin ajror më të aksesueshëm.
Marion Geoffroy, Drejtuese e Burimeve Njerëzore në Wizz Air, u shpreh:
“Arritja e shifrës prej 10,000 punonjësish nuk është thjesht një tregues i rritjes së kompanisë sonë. Pas kësaj arritjeje qëndrojnë 10,000 individë të talentuar, që i përkasin mbi 100 kombësive dhe sjellin çdo ditë në Wizz Air përvoja, këndvështrime dhe aftësi të ndryshme. Edhe pse vijmë nga vende të ndryshme dhe ushtrojmë role e përgjegjësi të ndryshme, na bashkon një ambicie e përbashkët: të ofrojmë shërbime të sigurta, të besueshme dhe të një cilësie të lartë, si për pasagjerët tanë, ashtu edhe në bashkëpunimin me njëri-tjetrin.
Diversiteti ynë nuk është thjesht një e dhënë statistikore, por një nga pikat tona më të forta. Ai na ndihmon të kuptojmë më mirë komunitetet të cilave u shërbejmë, t’u qasemi sfidave nga këndvështrime të ndryshme dhe të vazhdojmë të zhvillohemi si kompani ajrore. Kjo arritje i përket çdo punonjësi të Wizz Air, pasi janë përkushtimi, energjia dhe fryma e tyre e bashkëpunimit që kanë ndërtuar kompaninë që jemi sot. Jemi 10,000 punonjës, por na bashkon një identitet i vetëm: Wizz Air.”
Wizz Air do ta shënojë këtë arritje përmes një sërë aktivitetesh të brendshme festive, të organizuara në të gjithë rrjetin e saj operacional, të cilat do të bëjnë bashkë punonjës nga baza të ndryshme, vende dhe sektorë të veprimtarisë së kompanisë.










