Alarm për qumështin VITA, zbulohet aflatoksinë mbi normat e lejuara
Kosova e tërheq nga tregu, shitet edhe në Shqipëri
Një alarm për sigurinë ushqimore është ngritur në Kosovë, ku autoritetet kanë vendosur të tërheqin nga tregu një seri të qumështit VITA UHT me 3.2% yndyrë, pasi kontrollet laboratorike kanë evidentuar nivele të larta të aflatoksinës M1.
Bëhet fjalë për një produkt që tregtohet edhe në Shqipëri, çka ngre pikëpyetje nëse seria e identifikuar si problematike mund të jetë shpërndarë edhe në tregun shqiptar.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV), produkti që duhet të tërhiqet është qumështi VITA UHT 3.2%, në paketim njëlitërsh, me datë prodhimi 18 korrik 2026 dhe afat përdorimi deri më 18 janar 2027. Prodhuesi është kompania ABRAZEN SH.P.K., e njohur si Qumështorja VITA.
Vendimi për bllokimin e kësaj serie erdhi pas analizave të kryera në Institutin për Sigurinë e Ushqimit në Linz të Austrisë, ku u konstatua një përqendrim i aflatoksinës M1 prej 0.065 mikrogramë për kilogram. Vlera e lejuar është 0.050 mikrogramë për kilogram.
Pra, niveli i zbuluar rezulton më i lartë se kufiri maksimal i përcaktuar për këtë substancë.
Shqetësimi është konfirmuar edhe nga analizat e Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ku tri mostra të qumështit VITA 3.2% kanë rezultuar me tejkalim të normave të lejuara.
Pas rezultateve laboratorike, AUV ka urdhëruar kompaninë prodhuese të ndërpresë shitjen dhe shpërndarjen e serisë përkatëse, si dhe të garantojë tërheqjen e plotë të saj nga pikat e tregtimit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë në dyqanin ku është blerë.
Agjencia ka sqaruar se masa e marrë lidhet vetëm me serinë e identifikuar dhe nuk përfshin produktet apo seritë e tjera të të njëjtit prodhues.
Rasti nuk është i pari për kompaninë, pasi më herët janë evidentuar probleme të ngjashme edhe në Maqedoninë e Veriut. Atje, analizat e qumështit LAND Milk UHT 3.2%, të prodhuar nga i njëjti operator, kanë zbuluar gjithashtu përqendrim të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar.
Aflatoksina M1 është një substancë toksike që mund të përfundojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar që konsumojnë kafshët. Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj saj mund të përbëjë rrezik për shëndetin e njeriut.
Për këtë arsye, autoritetet kosovare kanë paralajmëruar kontrolle të mëtejshme edhe në seri të tjera prodhimi, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të ndotjes.
Ndërkohë, një pikë që mbetet për t’u sqaruar është nëse seria e qumështit VITA për të cilën është dhënë alarmi në Kosovë ka mbërritur edhe në Shqipëri. Pavarësisht se produkti tregtohet në vendin tonë, deri në momentin e raportimit nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare për praninë ose tërheqjen e kësaj serie nga tregu.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



