Ligji i ri/ Siguracioni i makinës do të vlejë edhe 15 ditë pas skadimit
Nëse shkakton aksident brenda 15 ditëve pas skadimit të policës, duhet të paguash siguracionin për gjithë vitin pasardhës
Një ndryshim i rëndësishëm pritet të prekë të gjithë drejtuesit e automjeteve në Shqipëri. Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit parashikon që mbulimi nga siguracioni i makinës të mos ndërpritet menjëherë me përfundimin e afatit të policës, por të vazhdojë automatikisht edhe për 15 ditë të tjera.
Megjithatë, kjo periudhë tolerimi shoqërohet me kushte dhe detyrime financiare, të cilat mund të rezultojnë të kushtueshme për drejtuesit e mjeteve në rast se shkaktojnë një aksident.
Sipas nenit 8 të projektligjit, të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kontrata e sigurimit do të vijojnë të jenë në fuqi për 15 ditë pas skadimit të saj. Ky mekanizëm do të zbatohet në rastet kur klienti nuk ka njoftuar kompaninë e sigurimit, të paktën tri ditë përpara përfundimit të kontratës, se nuk dëshiron vazhdimin e saj.
Për shembull, nëse një policë sigurimi përfundon më 30 nëntor, mbulimi do të vijojë deri më 15 dhjetor, nëse plotësohen kushtet e parashikuara në projektligj.
Por situata ndryshon në rast se gjatë këtyre 15 ditëve drejtuesi i automjetit shkakton një aksident.
Pika 10 e nenit 8 përcakton se, në një rast të tillë, i siguruari detyrohet të paguajë primin e sigurimit për të gjithë vitin pasardhës. Pra, periudha shtesë e mbulimit nuk do të shërbejë si një zgjatje pa kosto nëse gjatë saj ndodh një ngjarje sigurimi.
Për ta konkretizuar, nëse një qytetar ka pasur një policë me vlerë 20 mijë lekë në vit dhe shkakton aksident pesë ditë pas skadimit të saj, ai do të ketë detyrimin të paguajë primin për të gjithë periudhën vjetore pasardhëse, sipas tarifës që do të zbatohet për rinovimin.
Çfarë ndodh nëse ndryshoni kompaninë e sigurimit?
Projektligji parashikon detyrime edhe për drejtuesit që vendosin të lidhin kontratë me një kompani tjetër sigurimi gjatë periudhës 15-ditore.
Sipas pikës 11 të nenit 8, shoqëria e mëparshme e sigurimit ka të drejtë të kërkojë pagesën për ditët gjatë të cilave ka vijuar të mbulojë automjetin, deri në momentin kur klienti ka lidhur kontratën e re.
Kështu, nëse siguracioni përfundon më 30 nëntor dhe drejtuesi zgjedh një kompani tjetër më 7 dhjetor, siguruesi i mëparshëm mund t’i kërkojë pagesën për shtatë ditët gjatë të cilave ka mbajtur në fuqi mbulimin.
Në këtë rast, pagesa llogaritet proporcionalisht me kohëzgjatjen e mbulimit dhe nuk përfaqëson primin e plotë vjetor, për sa kohë nuk ka ndodhur një ngjarje sigurimi.
Një tjetër detyrim që parashikohet në projektligj lidhet me kompanitë e sigurimit. Në rastet kur ato konstatojnë se mbulimi i një automjeti ka përfunduar, duhet të njoftojnë brenda 15 ditëve institucionet përgjegjëse për regjistrimin e mjeteve, kontrollin e trafikut rrugor dhe Qendrën e Informacionit.
Në thelb, ndryshimet synojnë të shmangin ndërprerjen e menjëhershme të sigurimit për shkak të vonesave në rinovimin e policës, por njëkohësisht përcaktojnë qartë detyrimet financiare që lindin gjatë kësaj periudhe.
Projektligji është pjesë e reformës së sigurimit të detyrueshëm motorik dhe synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian. Parashikimet e tij do të duhet të kalojnë procedurat përkatëse përpara se të marrin fuqi ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



