Gianni De Gennaro dyshohet se ka ndikuar në heshtjen e një bashkëpunëtori të drejtësisë dhe në fshehjen e shkatërrimin e dokumenteve që mund të ndihmonin zbardhjen e atentatit mafioz të vitit 1992. Prokuroria e Kaltanissetta-s kërkoi arrestimin e tij në shtëpi, por gjykatësi e rrëzoi kërkesën. Prokurorët kanë ankimuar vendimin.
Më shumë se tri dekada pas vrasjes së gjyqtarit antimafia Paolo Borsellino, hetimet për atentatin që tronditi Italinë në vitin 1992 kanë sjellë në qendër të vëmendjes një prej figurave më të rëndësishme të institucioneve të sigurisë italiane. Gianni De Gennaro, ish-kreu i Policisë së Shtetit dhe ish-drejtues i Shërbimit të Informacionit për Sigurinë, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Kaltanissetta-s, nën dyshimin për devijim të hetimeve (depistaggio).
Dyshimet lidhen me përpjekje të mundshme për të penguar dëshmitë e ish-mafiozit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë Salvatore Contorno, si dhe me fshehjen e shkatërrimin e dokumenteve që mund të përmbanin informacione të rëndësishme për çështjen. Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet edhe me zhdukjen e agjendës së kuqe të Borsellino-s, dokumenti që gjyqtari mbante me vete dhe që nuk u gjet pas atentatit.
Hetimi u bë publik më 16 nëntor 2026, pas gjashtë kontrolleve të kryera nga karabinierët e ROS-it në provincën e Romës, në ambiente të lidhura me De Gennaro-n dhe disa persona të tjerë, mes tyre ish-bashkëpunëtorë të tij dhe Salvatore Contorno.
Dyshimet për heshtjen e Salvatore Contorno-s
Një prej linjave kryesore të hetimit lidhet me marrëdhënien mes De Gennaro-s dhe Salvatore Contorno-s, ish-anëtar i Cosa Nostra-s, i cili më vonë u bë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Contorno u arrestua në Sicili në vitin 1989, kur De Gennaro drejtonte Njësinë Qendrore Antikriminel të Policisë italiane, strukturë që merrej edhe me administrimin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Rrethanat e arrestimit dhe trajtimi i mëvonshëm i tij janë bërë pjesë e hetimit aktual, i cili synon të sqarojë nëse ngjarjet e asaj periudhe lidhen me zhvillimet e mëvonshme rreth vrasjes së Borsellino-s.
Sipas Prokurorisë së Kaltanissetta-s, De Gennaro, në bashkëpunim me ish-inspektorin e policisë Francesco Pacetto dhe Massimo Carnicelli, përgjegjës për sigurinë e tij, dyshohet se ka vepruar për të penguar Contorno-n të dëshmonte përpara autoriteteve gjyqësore.
Prokurorët e cilësojnë këtë si devijim të hetimeve përmes deklarimeve (depistaggio dichiarativo). Sipas tyre, Contorno është ndikuar që të mos bashkëpunonte me Prokurorinë e Kaltanissetta-s dhe të mos jepte informacione që mund të ndihmonin në rindërtimin e ngjarjeve.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se çfarë dinte Contorno për zhvillimet e vitit 1989 dhe nëse dëshmitë e tij mund të hidhnin dritë mbi manipulimet e mundshme të hetimeve për masakrën e Via D’Amelio.
Dokumentet e fshehura dhe shkatërrimi i tyre
Linja e dytë e hetimit lidhet me dyshimet për fshehjen dhe shkatërrimin e dokumenteve me rëndësi të mundshme për çështjen.
Sipas dokumentacionit të Prokurorisë, në shtator të vitit 2023, pas kontrolleve të kryera ndaj familjarëve të Arnaldo La Barbera-s, ish-kreu i Njësisë së Lëvizshme të Policisë në Palermo, De Gennaro, Donatella Peruzzi, funksionare në Departamentin e Informacionit për Sigurinë (DIS), dhe Massimo Carnicelli dyshohet se kanë fshehur dokumente fizike dhe elektronike.
Akuza pretendon se një pjesë e dokumentacionit është zhvendosur nga vendi ku ruhej dhe i është besuar bashkëshortit të Peruzzi-t. Hetimet e mëtejshme kanë çuar në dyshimin se De Gennaro dhe Peruzzi kanë shkatërruar edhe dokumente të tjera që kishin në zotërim, duke përjashtuar artikujt e shtypit dhe materiale të konsideruara me rëndësi të vogël.
Prokuroria po verifikon nëse këto dokumente përmbanin të dhëna mbi marrëdhëniet mes personave të përfshirë në hetimet e viteve të mëparshme dhe mbi mënyrën se si janë administruar informacionet që lidhen me atentatin ndaj Borsellino-s.
Në këtë linjë hetimore rikthehet edhe emri i Arnaldo La Barbera-s, i cili drejtonte strukturën hetimore të Policisë në Palermo në kohën e atentatit. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse veprimet që dyshohet se kanë devijuar hetimet janë kufizuar te grupi i drejtuar prej tij apo kanë përfshirë edhe persona në nivele më të larta institucionale.
Gjykatësi rrëzoi kërkesat për arrestim, Prokuroria ankimoi vendimin
Për shkak të dyshimeve të ngritura, Prokuroria e Kaltanissetta-s kërkoi masa sigurie ndaj disa prej personave nën hetim.
Për Gianni De Gennaro-n, Salvatore Contorno-n dhe Francesco Pacetto-n u kërkua arrest në shtëpi, ndërsa për Massimo Carnicelli-n pezullim nga funksionet. Për Donatella Peruzzi-n prokurorët kërkuan arrest në burg.
Megjithatë, gjyqtari i hetimeve paraprake (GIP) i rrëzoi kërkesat me një vendim të datës 12 nëntor 2026. Ky vendim nuk nënkupton mbylljen e hetimit apo rrëzimin e dyshimeve, por lidhet me vlerësimin e kushteve ligjore për vendosjen e masave të kërkuara.
Sipas prokurorit Salvatore De Luca, një nga mospajtimet kryesore mes Prokurorisë dhe gjykatësit lidhet me raportin mes dokumenteve të fshehura ose të shkatërruara dhe zhdukjes së agjendës së kuqe të Borsellino-s.
Në vlerësimin e gjykatësit, për t'i konsideruar veprimet e pretenduara si devijim të hetimeve në kuadër të kësaj çështjeje, duhet të provohet lidhja e tyre me zhdukjen e agjendës së gjyqtarit.
Prokuroria kundërshton këtë interpretim, duke argumentuar se veprimet e dyshuara përbëjnë një tërësi më të gjerë dhe nuk mund të kufizohen vetëm te fati i agjendës. Sipas saj, në shqyrtim duhet të përfshihen edhe përpjekjet e pretenduara për të penguar dëshmitë e Contorno-s dhe dokumentacioni që lidhet me ngjarjet e vitit 1989.
Për këtë arsye, prokurorët kanë paraqitur ankim në Gjykatën e Rishqyrtimit (Tribunale del Riesame) të Kaltanissetta-s, e cila ka caktuar datën 1 dhjetor për shqyrtimin e tij.
Vrasja e Paolo Borsellino-s dhe misteri i agjendës së kuqe
Më 19 korrik 1992, në rrugën Via D’Amelio në Palermo, një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu pranë banesës së nënës së gjyqtarit Paolo Borsellino. Nga atentati mafioz humbën jetën Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij: Agostino Catalano, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Walter Eddie Cosina dhe Claudio Traina.
Vetëm 57 ditë më parë, më 23 maj, një tjetër atentat në Capaci kishte vrarë gjyqtarin Giovanni Falcone, bashkëshorten e tij Francesca Morvillo dhe tre pjesëtarë të eskortës. Të dy sulmet ishin pjesë e fushatës së dhunshme të Cosa Nostra-s kundër shtetit italian.
Pas vrasjes së Borsellino-s, një prej mistereve më të mëdha të çështjes u bë zhdukja e agjendës së tij të kuqe. Dokumenti ndodhej në një çantë që gjyqtari mbante me vete dhe u pa në duart e personave të pranishëm në vendngjarje pas shpërthimit. Megjithatë, agjenda nuk u gjet më.
Rëndësia e saj lidhet me mundësinë që të përmbante shënime mbi punën e gjyqtarit, kontaktet dhe çështjet që ai po ndiqte. Zhdukja e dokumentit ka qenë ndër elementet më të ndjeshme të hetimeve që pasuan atentatin, duke ushqyer dyshimet për ndërhyrje dhe fshehje informacioni. Për këtë arsye, agjenda e kuqe mbetet një nga pikat qendrore të hetimit aktual.
Rasti Scarantino dhe manipulimi i hetimeve
Hetimet për vrasjen e Borsellino-s janë shoqëruar edhe nga një prej rasteve më të rënda të devijimit të drejtësisë në Itali, ai i Vincenzo Scarantino-s.
Pas atentatit, hetuesit u mbështetën te deklarimet e Scarantino-s, i cili pretendonte se kishte marrë pjesë në vjedhjen e automjetit Fiat 126, të përdorur për transportimin e eksplozivit që shpërtheu në Via D’Amelio.
Dëshmitë e tij u përdorën në proceset gjyqësore kundër personave të dyshuar për organizimin dhe realizimin e atentatit. Më vonë, Scarantino tërhoqi deklarimet dhe pranoi se kishte dhënë dëshmi të rreme. Rihapja e hetimeve nxori në pah manipulime që kishin ndikuar në proceset gjyqësore dhe në identifikimin e personave përgjegjës për masakrën.
Në qendër të vëmendjes u vu edhe Arnaldo La Barbera, i cili drejtonte grupin hetimor të Policisë në Palermo. Hetimet e mëvonshme zbuluan përgjegjësi të pjesëtarëve të strukturës që kishte administruar dëshmitë e Scarantino-s.
Në vitin 2024, çështja ndaj tre ish-drejtuesve të lartë të policisë, të akuzuar për veprime që lidhen me devijimin e hetimeve, përfundoi me konstatimin e parashkrimit të veprave penale.
Hetimi i ri synon të verifikojë nëse përgjegjësitë për manipulimin e hetimeve shtrihen përtej grupit të drejtuar nga La Barbera dhe nëse kanë përfshirë edhe nivele më të larta të strukturave institucionale.
Kush është Gianni De Gennaro?
Përfshirja e Gianni De Gennaro-s në këtë hetim ka marrë vëmendje të veçantë për shkak të karrierës së tij të gjatë në nivelet më të larta të sigurisë dhe administratës shtetërore italiane.
I lindur më 14 gusht 1948 në Reggio Calabria, De Gennaro u diplomua në Universitetin La Sapienza në Romë. Në vitin 1973 nisi karrierën në Policinë e Shtetit, ku u përfshi në operacione të rëndësishme kundër krimit të organizuar.
Një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij ishte bashkëpunimi me gjyqtarin Giovanni Falcone. Për rreth 11 vjet, De Gennaro u angazhua në hetime kundër organizatave mafioze. Në vitin 1984 mori pjesë edhe në procesin e ekstradimit nga Brazili të Tommaso Buscetta-s, një prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të drejtësisë në luftën kundër Cosa Nostra-s.
Në fund të vitit 1991 u emërua zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Hetimit Antimafia (DIA), ndërsa më pas mori drejtimin e saj. Në vitin 1993 u bë zëvendëskryetar i Policisë dhe më 26 maj 2000 u emërua në krye të Policisë së Shtetit, detyrë që e mbajti deri në vitin 2007.
Gjatë kësaj periudhe, emri i tij u përfshi edhe në polemikat që pasuan ngjarjet e Gjenovës në vitin 2001, veçanërisht ndërhyrjen e policisë në shkollën Diaz gjatë protestave kundër samitit të G8-s. De Gennaro u dënua në shkallë të parë për nxitjen e dëshmisë së rreme të ish-kuestorit të Gjenovës, Francesco Colucci, por Gjykata e Kasacionit e shpalli të pafajshëm, duke arritur në përfundimin se fakti nuk ekzistonte.
Pas largimit nga drejtimi i Policisë, në vitin 2008 mori drejtimin e Departamentit të Informacionit për Sigurinë (DIS), që koordinon shërbimet sekrete italiane. Qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2012, ndërsa më pas shërbeu si nënsekretar shteti pranë Presidencës së Këshillit të Ministrave, me përgjegjësi për informacionin dhe sigurinë kombëtare.
Në vitin 2013 u emërua president i Leonardo-s, një prej kompanive kryesore italiane në sektorin e mbrojtjes dhe teknologjisë, pozicion që e mbajti deri në vitin 2020. Më pas drejtoi Banca Popolare di Bari, nga viti 2020 deri në vitin 2022. Po atë vit u emërua president i Eurolink, konsorciumit përgjegjës për projektin e urës së planifikuar mbi Ngushticën e Mesinës. Që prej vitit 2013 drejton edhe Qendrën për Studime Amerikane në Itali.
Karriera e tij, e shtrirë në disa dekada, e ka vendosur De Gennaro-n në pozicione kyçe të policisë, inteligjencës dhe administratës italiane. Kjo e bën hetimin aktual veçanërisht të ndjeshëm, pasi dyshimet prekin një figurë që ka qenë në krye të institucioneve përgjegjëse për sigurinë e vendit.
Çfarë pritet të ndodhë më tej?
Hapi i radhës është shqyrtimi, më 1 dhjetor, i ankimit të Prokurorisë së Kaltanissetta-s kundër vendimit që rrëzoi kërkesat për masat e sigurisë.
Paralelisht, hetuesit duhet të sqarojnë nëse dokumentet e fshehura ose të shkatërruara përmbanin informacione me rëndësi për vrasjen e Borsellino-s, nëse përpjekjet për të penguar dëshmitë e Contorno-s kanë ndikuar në hetime dhe nëse përgjegjësitë shtrihen në nivele të tjera të institucioneve italiane.
Më shumë se tri dekada pas atentatit, zhdukja e agjendës së kuqe dhe manipulimi i hetimeve vazhdojnë të jenë çështje të pazbardhura plotësisht. Hetimi ndaj De Gennaro-s hap një tjetër pistë për të kuptuar nëse devijimi i drejtësisë ka përfshirë edhe figura të tjera përtej atyre që janë hetuar më parë.
Megjithatë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor, dyshimet ndaj De Gennaro-s dhe personave të tjerë mbeten pretendime të Prokurorisë dhe nuk përbëjnë një përcaktim të fajësisë./ Syri.net/
© SYRI.net
Fundoset brenda 48 orëve anija e dytë tregtare në brigjet e Bullgarisë, nis operacioni i shpëtimit për 19 anëtarët e ekuipazhit
Ana e errët e Stephen Hawking-ut: Klubet e striptizës, ishulli i Epstein-it dhe bashkëshortja që ndihej si një 'e burgosur'
UNHCR: Rriten me 20% vdekjet në rrugët detare drejt Evropës, mijëra emigrantë të vdekur dhe të zhdukur