Një tufë me ujqër kanë sulmuar mëngjesin e sotëm hambarin me dele në banesën e Baftjar dhe Bukurie Pire në fshatin Tapi të Kuçovës, duke i mbytur të 13 delet e familjes.
Për dy bashkëshortët kjo konsiderohet si ngjarje e pazakontë, pasi kurrë më parë siç thonë ujqërit nuk kishin zbritur kurrë më parë kaq pranë banesave. Ata u përpoqën t’i largonin kafshët pasi dëgjuan zhurmat, por u tërhoqën nga frika kur një prej ujqërve tentoi të kafshonte kryefamiljarin.
“Ka qenë ora 6.30 se kam qenë atje unë. Një ujk pashë po janë shumë. Erdhën e sulmuan bagëtitë, 13 kokë. Nëse gënjej unë, ja tek janë, janë gjë duket. Fati im, nuk më ka ndodhur kurrë kështu, u bënë kaq vjet. Shteti e Bashkia të na ndihmojnë”, është shprehur Baftjari.
Sipas çiftit të bashkëshortëve dëmi që ju kanë shkaktuar ujqerit është kolosal pasi ata vetëm shitjen e qengjave dhe qumështit të deles e nënprodukteve të tij mbanin familjen me bukë. Kryefamiljarja kërkon ndihmë, pasi sipas saj, janë në hall të madh.
“Ekziston frika se mund të shfaqen sërish. Kam bërë denoncimin në Bashkinë e Kuçovës, ka shkuar burri, ka shkuar komshiu, ata nuk marrin masa. Urdhëro shikoje ferrën aty, ka dhelpra, ujqër, ça nuk ka aty.
Dalin natën dhe ne kemi frikë, se çohen e na hanë. Duhet të marrë masa Kreshniku. Pse nuk merr masa Bashkia? Ta korrë ferrën aty. Kërkoj ndihmë nga shteti, jam në hall. Me ça të ushqehemi. Burrin e kam të sëmurë. Ku të mbytemi? Jam në hall të madh. Me këto ushqeheshim. Nuk ishin një, ishin shumë”, tha Bukurie.













