Begaj pret përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Turqi, në fokus investimet dhe bashkëpunimi ekonomik
Presidenti Bajram Begaj, ka pritur në një takim përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi, me të cilët ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vlerësoi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, duke theksuar zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e investimeve të drejtpërdrejta nga sipërmarrjet me kapital turk.
Begaj nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve po shtrihen përtej tregtisë tradicionale të mallrave dhe shërbimeve.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte promovimi i Shqipërisë si qendër rajonale për takime dhe aktivitete biznesi. Duke iu referuar Forumit Ballkanik të Biznesit, të zhvilluar muajin e kaluar në Tiranë, Begaj vlerësoi rëndësinë e nismave të tilla për tërheqjen e interesit të sipërmarrjeve dhe investitorëve.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi me institucionet shqiptare në përafrimin e standardeve evropiane, në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu angazhimin e institucioneve turke dhe të Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Turqi në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



